Lufta ndaj ISIS, Obama kërkon autorizimin formal nga Kongresi

11/02/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama i ka kërkuar Kongresit këtë të mërkurë të autorizojë formalisht përdorimin e forcës ushtarake në luftën kundër Shtetit Islamik, hera e parë që një president bën këtë kërkesë për miratim në 13 vite.

Ligjvënësit morën mëngjesin e së mërkurës një projektligj mbi Autorizimin e Përdorimit të Forcës Ushtarake, një rezolutë që do të jepte formalisht “dritën jeshile” për veprim, përpjekjes 6-mujore të ushtrisë amerikane kundër grupit ekstremist. Vetëm pak pasi kërkesa u dërgua në “Capitol Hill”, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Obama do të flasë përpara publikut mbi këtë çështje mbrëmjen e së mërkurës.

Rezoluta e përbashkët do të kufizonte autoritetin e presidentit për të nisur e zhvilluar një fushatë ushtarake kundër Shtetit Islamik brenda 3 vitesh dhe jo pa limit, si dhe nuk do të autorizonte “operacione luftarake ofensive në terren, në mënyrë të qëndrueshme”, sipas tekstit të rezolutës.

Në një letër ndaj Kongresit, Obama shpjegon se projektrezoluta do t’i japë atij autoritetin të urdhërojë “operacione luftarake në terren në rrethana të kufizuara”, përfshi këtu operacione shpëtimi dhe operacione të forcave speciale për të “kryer veprime ushtarake kundër lidershipit të ISIS”.

Rezoluta lë në hije gjithashtu atë të vitit 2002, që dha “dritën jeshile” për luftën në Irak. Obama tërhoqi trupat amerikane nga Iraku në vitin 2011, por autorizimi ushtarak ka mbetur ende në fuqi. Rezoluta e hartuar nga Shtëpia e Bardhë nuk e shfuqizon autorizimin e përdorimit të forcës të vitit 2001, që shërbeu si justifikim ligjor për fushatën ushtarake kundër Shtetit Islamik dhe përpjekjeve të tjera ushtarake amerikane për të luftuar terrorizmin anembanë botës.

Dokumenti specifikon gjithashtu edhe se ISIS përbën një “kërcënim të madh” ndaj interesave të sigurisë kombëtare të Amerikës, por edhe ndaj qëndrueshmërisë së rajonit. Obama e detajoi kërcënimin e ISIS në letrën drejtuar Kongresit, që shoqëronte edhe projektligjin.

“I ashtuquajturi Shteti Islamik në Irak dhe Levant përbën një kërcënim ndaj njerëzve dhe stabilitetit të Irakut, Sirisë, por edhe Lindjes së Mesme më gjerë, pa harruar këtu sigurisë kombëtare të Amerikës”, shkruan Obama. “ISIL kërcënon personelin amerikan dhe mjediset e ndodhura në rajon, si dhe është përgjegjës për vdekjen e shtetasve amerikanë”.

Ashtu si në projektrezolutë, Obama përmend edhe emrat e amerikanëve të vrarë nën robërinë e ISIS-it, “përfshi James Foley, Steven Sotloff, Abdul-Rahman Peter Kassig dhe Kayla Mueller”. Në të vërtetë, në Kongres ekziston një mbështetje e gjerë për një Autorizim formal, e megjithatë jo të gjithë ligjvënësit bien dakord mbi shtrirjen e fuqive ushtarake që do i ngarkohet presidentit amerikan.

Top Channel