Izolohet manastiri i Zvërnecit, ujërat dhe era shkatërrojnë urën lidhëse të ishullit

11/02/2015 00:00

Përmbytja pa prekur edhe lagunën e Nartës, aq sa ujërat kanë hyrë edhe në Manastirin e Shën Mërisë në Zvërnec. Ujërat dhe erërat kanë dëmtuar rëndë edhe pasarelën, që lidh ishullin me zonën tjetër.

Me gjithë masat e ndërmara për ndalimin e ujërave, dëmi është kryer dhe klerikët që ndodhen në Manastirin e Zvërnecit kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve.

“Ka pasur shumë më tepër ujë sesa pamë bashkë dhe gjithë pjesa e brendshme e manastirit, duke nisur nga ulliri dhe të gjitha pjesët e poshtme, përfshi katet e para, ishin të përmbytura. Por më e rënda ishte furtuna e djeshme 45-minutëshe, që na shkatërroi një pjesë të konsiderueshme të urës, 25-30 metra, duke u bërë e pakalueshme. Me këtë rast dua të lajmëroj të gjithë besimtarët dhe vizitorët, se ura e manastirit do të jetë jashtë funksionit për një kohë të shkurtër, deri sa të marrë një zgjidhje përfundimtare”, tha At Jani Tereziu.

Ura është e gjatë 286 metra dhe është shkatërruar në një gjatësi prej 30 metrash. Ky manastir, përveç faktit që është një objekt kulti, është edhe një vend shumë i frekuentuar turistik dhe me vlera të mëdha historike.

Top Channel