SHBA, qëllohen për vdekje 3 studentë, arrestohet autori. Dyshohet për “urrejtje fetare”

11/02/2015 00:00

Një 46-vjeçar është arrestuar dhe përballet me akuzat për vrasje të trefishtë, pasi qëlloi ndaj 3 studentëve në një apartament pranë Universitetit të Karolinës Veriore, në kampusin “Chapel Hill”.

Policia bëri të ditur se “një grindje mes fqinjëve për parkim” mund të ketë rezultuar faktor nxitës për vrasjet e ndodhura mbrëmjen e së martës. Të tre viktimat u qëlluan në kokë dhe gjetën menjëherë vdekjen.

I dyshuari, Craig Stephen Hicks, u vetëdorëzua në polici më vonë gjatë natës, ndërsa është duke u mbajtur në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht. Ai ka bashkëpunuar me hetuesit, bëri të ditur policia këtë të mërkurë.

“Hetuesit tanë janë duke kërkuar mbi arsyen që e motivoi Hicks të kryejë një akt kaq tragjik dhe të pakuptimtë. I kuptojmë shqetësimet që ka nxitur kjo vrasje, në lidhje me mundësinë që ajo të ketë qenë vrasje prej urrejtjes, por do të vlerësojmë çdo provë dhe të dhënë, për të dalë në përfundimin nëse vërtet ka qenë kjo arsyeja”, tha shefi i policisë Chris Blue.

Por duke parë besimin e viktimave, pasi të tre ata ishin muslimanë, dhe komentet që ka lënë i dyshuari për vrasje në faqen e tij të Facebook-ut, shumë përdorues të rrjeteve sociale kanë ngritur dyshime se çfarë roli ka luajtur besimi i tre viktimave, nëse ka luajtur, në këtë akt tragjik.

Viktima kanë mbetur Deah Shaddy Barakat, 23 vjeç, Yusor Mohammad, 21 vjeç, dhe Razan Mohammad Abu-Salha, 19 vjeç. Barakat ishte bashkëshortja e Mohammad, ndërsa Abu-Salha ishte motra e tij, bëri të ditur shkolla. Barakat ishte një student i vitit të dytë për Stomatologji, i cili po kërkonte fonde përmes një faqeje interneti për të ofruar kujdes dentar ndaj refugjatëve sirianë në Turqi. Ai ishte martuar vetëm para një muaji me Yusor Mohammad, e cila planifikonte të niste studimet për stomatologji gjatë vjeshtës së këtij viti.

Top Channel