Ndihmat për zonat e përmbytura, Prençi: Emergjencat edhe në Shtyllas

11/02/2015 00:00

Emergjencat civile tregojnë se kanë përfshirë në zonën e shpërndarjes së ndihmave edhe fshatin Shtyllas. Shtëpitë e këtij fshati nuk u përfshinë nga ujërat për shkak se ndodhen në një vend më të lartë, por tokat e tyre në fushë u përmbyten.

“Dy ditët e fundit, për faktin se këta banorë ishin solidarizuar me barinjtë në nevojë, ne u kemi shpërndarë ndihma për kontributin. Në ditët në vazhdim, ne fshatin Shtyllas do ta ndihmojmë pasi ka të ardhur nga veriu e Skrapari, nga të gjitha zonat që kanë bagëti”, deklaroi shefi i Emergjencave, Shemsi Prençi.

Në drejtim të zonave të përmbytura janë dërguar ndihma nga shumë institucione. Ambasada Amerikane njoftoi se USAID ka akorduar 750 mijë dollarë si ndihmë.

Një aksion i vërtetë ka nisur edhe nëpër shkolla publike dhe jopublike për mbledhjen e ndihmave, ndërsa nismës i janë bashkuar edhe komunitetet fetare.

Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman, të Kishës Autoqefale Ortodokse dhe të Kishës Katolike dorëzuan ndihmat e mbledhura në ndihmë të familjeve të përmbytura në Fier dhe Vlorë.

Top Channel