Top Show, dritëhijet e Kadri Veselit

12/02/2015 00:00

Njerëzit e Shërbimeve Inteligjente qëndrojnë në hije dhe për ta flasin të tjerët. Pse Kadri Veseli vendosi të dalë në dritë dhe aq më shumë në dritën e politikës? Cili është djaloshi nga Mitrovica, që u be ‘Luli’ i UÇK, për t’u kthyer ne zotin Veseli të politikës kosovare?

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ishte i ftuar mbrëmjen e së mërkurës në Top Show, ku foli për çështje të ndryshme, vizita në Tiranë, Shërbimi Informativ i Kosovës, përfshirja e tij në PDK dhe e ardhmja në këtë parti. Gjithashtu, ai foli edhe për situatën jo të mirë që po kalon Kosova në ditët e sotme, emigrimi masiv dhe protestat e dhunshme.

Alban Dudushi: Zoti Veseli, zhvilluat vizitën e parë zyrtare në Tiranë si kryetari i Kuvendit të Kosovës. Cila ishte axhenda e diskutimeve?

Kadri Veseli: Patëm takime mjaft pozitive me personat më të lartë të politikës së tanishme dhe të shkuar në Shqipëri. Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhëniet shumë të mira vëllazërore dhe institucionale dhe ne diskutuam që t’i çojmë sa më lartë ato. Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën maksimalisht në procesin e njohjes së pavarësisë. Kemi rënë dakord që të bashkëpunojmë në rrugën drejt integrimit në BE.

Alban Dudushi: Ju keni thënë se Kuvendi i Kosovës do të jetë vendi i kompromisit dhe jo i përjashtimit. A është kjo natyra juaj e punës në përgjithësi?

Kadri Veseli: Transparenca, komunikimi serioz, debati dhe veçanërisht parlamenti është vendi ku duhet të debatohet në mënyrë që të nxjerrim ligje që janë më funksionale, të cilët do ta përmirësojnë mirqënien ekonomike dhe sociale të vendit.

Alban Dudushi: Keni qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së me pseudonimin “Luli”. Pse e more këtë pseudonim?

Kadri Veseli: Po vetë fakti i lëvizjeve tona të shpeshta të cilat i bënim gjatë veprimtarisë së UCK-së, ishte ndryshimi i emrave se përndryshe do të viheshin në rrezik familjet tona edhe ne gjithashtu. Kjo ka qenë një nga arsyet pse pastaj kolegët më kanë vënë nofkën Luli. Nuk e zgjodha unë. E kam marrë si nofkë të fundit në Jabllanicë të Gjakovës.

Alban Dudushi: Jeni ngarkuar me një detyrë të veçantë, për të udhëhequr G2-shin, seksioni i zbulimit brenda UCK. Pse ju u cilësuat si njeriu më i aftë dhe më i besuar që mund ta kryenit këtë detyrë dhe mund ta krijonit këtë bërthamë?

Kadri Veseli: Ishte vlerësim dhe besim. Unë kisha vite të veprimtarisë së fshehtë, ku kisha arritur sukses, por në të njëjtën kohë kisha arritur të ruaj njerëzit dhe të zgjeroj veprimtarinë e lëvizjes së rezistencës.

Alban Dudushi: Cilat ishin detyrat e G2-shit në atë periudhë?

Kadri Veseli: Në radhë të parë ruajtja dhe konsolidimi i njësive tona, më pas partneriteti me ndërkombëtarët për të bërë që ata të besonin se lufta jonë ishte për çlirimin e vendit. Ne kemi qenë një pjesë e rëndësishme në furnizimin me informacion të NATO-s gjatë sulmeve të tyre, që synonin vetëm objektiva ushtarake.

Alban Dudushi: A ekziston mundësia e hapjes së dosjeve të atyre njerëzve në Kosovë, të cilët dikur kanë bashkëpunuar me Shërbimin Informativ jugosllav?

Kadri Veseli: Te ne ka institucione legale dhe legjitime të cilat mund të veprojnë në këtë drejtim. Unë jam i mendimin se ka shumë pak shqiptarë, të cilët bashkëpunojnë me segmente të inteligjencës serbe. Ka njerëz që mund të jenë të shantazhuar. Nuk duhet t’i besojmë shumë hapjes së dosjeve. Ne e dimë se cili ka qenë realiteti dhe nuk duhet të jemi të varur nga dosjet, të cilat Serbia i përdor për shantazh dhe të harrojmë të kaluarën.

Alban Dudushi: Ju i njihni se kush ka qenë i pastër dhe kush jo?

Kadri Veseli: Unë e di që qytetarët e Kosovës janë të pastër e duan atdheun e tyre dhe kanë për të punuar për të.

Alban Dudushi: Bota e informacionit është botë që prodhon pushtet. Ju natyrisht që keni shumë informacion për shkak të detyrës që keni pasur. Përse u shkri aq vonë Shërbimi Informativ Kombëtar? Ky informacion ju bën ju njeriun më të pushtetshëm në Kosovë?   

Kadri Veseli: Ne kaluam një kohë të gjatë në një partneritet me ndërkombëtarët dhe ato që ne thoshim për t’i bindur rreth kauzës sonë ishin reale. Duhet patur parasysh që pretendimet serbe nuk kishin mbaruar. Ne kemi bashkëvepruar me ndërkombëtarët drejt misionit tonë për krijimin e shtetit. Më 17 shkurt 2008 ky mision përfundoi, atëherë përfundoi edhe misioni jonë, por pasi kishim ndërmarrë  hapa institucional.

Alban Dudushi: Këto janë akuza që janë bërë publike edhe në Kosovë. Është folur që Shërbimi Informativ i Kosovës, i drejtuar nga ju, ka shërbyer për shantazhe dhe për eliminim të kundërshtarëve…

Kadri Veseli: Aspak. Shërbimi Informativ i Kosovës nuk e ka pasur luksin. Lojërat politike dhe tentativat për njollosje luhen në çdo vend, por jo në dobi të vendit.  

Alban Dudushi: Informacionet që keni, a ju bëjnë njeriun më të pushtetshëm në Kosovë?

Kadri Veseli: Jo. Për mua pushteti është një çështje relative. Pushtet ka kush ka miq, pushtet ka kush sillet mirë, kush ka mirëkuptim ndaj njerëzve.

Alban Dudushi: Njerëzit e shërbimeve informative mbajnë një profil të ulët, ndërsa ju keni vendosur që të riktheheni dhe të hidheni në politik. E keni kërkuar, apo ju a kanë kërkuar këtë?

Kadri Veseli: Unë kam qenë në politik dhe erdhi një moment ku njeriu ka nevojë për pushim. Më pas unë kam pasur oferta nga parti politike ekzistuese dhe nga opsione të reja. Realisht PDK kishte arritur suksese të jashtëzakonshme. Kam biseduar me kryetarin e PDK, më ka thirrur për të biseduar, por ideja ime ka qenë të futem në politik përmes një procesi zgjedhor. Aktivizimin në PDK e kam filluar që nga lagja ku kam lindur dhe ku jam rritur.

Alban Dudushi:  Ka qenë një periudhë e vështirë për PDK kur ju jeni afruar. Kishin filluar divergjencat mes zotit Thaçi, zotit Limaj, zotit Krasniqi…

Kadri Veseli:
Thaçi është një personalitet i pakontestueshëm i lidershipit të PDK. Në politik ka kënaqësi dhe pakënaqësi. Si do që të jetë unë jam angazhuar me tërë qenien time në PDK.

Alban Dudushi: Ka qenë zoti Thaçi një ndër miqtë tuaj, apo ka qenë një bashkëluftëtar i juaji dhe vetëm kaq?

Kadri Veseli: Unë kam raporte jetësore me zotin Thaçi, të cilat ndërlidhen në një moment të veçantë. Realisht veprimtaria ime dhe e zotit Thaçi, deri në qershor 1990, unë nuk e di ku të filloj dhe ku të mbaroj. Kemi kaluar momente të veçanta në rininë tonë, të gëzimeve dhe peripecive. Ka qenë një miqësi e përbashkët, e cila është ndërlidhur me idenë që së pari Kosova të lirohet dhe në të njëjtën kohë të kemi shtet të përbashkët.

Alban Dudushi: Të gjithë ju perceptojnë si njeriun që do të trashëgojë partinë në momentin që Thaçi do të bëhet presidenti i Kosovës, në bazë të marrëveshjeve…

Kadri Veseli:  Në krye të PDK, Thaçi ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë tërë këtyre viteve. Shumica e institucioneve janë ndërtuar në kohën e qeverisjes së PDK. Kjo parti ka personalitete të jashtëzakonshëm, të cilat mund të marrin përgjegjësin. Në momentin që do të kemi ndryshim të situatës, nëse zoti Thaçi do të marrë postin e Presidentit, atëherë do të vendosin organet e partisë.

Alban Dudushi: Pavarësisht rrethanave, ju e synoni postin e kryetarit të partisë?

Kadri Veseli: Të vimë deri te ajo moment dhe pastaj kolegët e partisë do ta vendosin se kush do të jetë kryetar.

Alban Dudushi: Në qoftë se do të propozohej ky post, do ta pranonit apo do ta refuzonit?

Kadri Veseli: Me përkrahjen e organeve vendimmarrëse dhe bashkëkolegëve të mi në PDK, do ta pranoja sepse është një privilegj dhe përgjegjësi të udhëheqësh partinë më të madhe në vend.

Alban Dudushi: Shoqëria kosovare në ditët e sotme ka një lloj depresioni, i cili duket se po thellohet. Gjashtë muajit e ngërçit e thelluan më tepër. Autobusët me emigrantë që po largohen masivisht nga Kosova po mbushin kronikat e lajmeve…

Kadri Veseli: Është fakt që Kosova ende nuk ka arritur të eliminojë varfërinë e cila ekziston në shoqërinë kosovare. Një përqindje e caktuar e njerëzve jetojnë në varfëri ekstreme. Por si do të jetë Kosova ka bërë progres shumë të madh.

Alban Dudushi: Por duhet t’u mbushni mendjen atyre njerëzve që largohen me autobus…

Kadri Veseli: Gjithsesi jemi në vitin e 7 të formimit të shtetit. Të gjitha këto që ndodhin duhet t’i marrim nga konteksti real. Ajo që ne do të bëjmë në procesin e ardhshëm, veçanërisht me reformat ekonomike. Në anën tjetër duhet të ruhemi për të mos rënë pre e trafikantëve, të cilët synojnë të zbrazin Kosovën dhe ta paraqesin si një shtet jo funksional. Ne duhet të jemi më fanatik për vendin tonë në mënyrë për të punuar të gjithë bashkërisht. Duhet të përgatisim njerëz për tregun e punës dhe do të shfrytëzojmë dhe resurset natyrore. Ky është shpëtimi dhe zhvillimi i Kosovës.  

Alban Dudushi: Këto largime masive ne i shikojmë edhe si pasojë e këtij ngërçi 6-mujor. Për hir të së vërtetës u duk se nuk pati shumë moral në klasën politike të Kosovës. Nga ana tjetër mund të përmend edhe protestat në qendër të Prishtinës në lidhje me depresionin dhe zhgënjimin ndaj politikës…

Kadri Veseli: Fakti i largimit është një fakt real. Por si do të jetë ne nuk lejojmë depresionin në Kosovë. Në asnjë mënyrë mes nesh nuk do të ketë luftë civile, për arsye se ne kemi kaluar periudha të rëndë. Perspektiva nuk mund të kërkohet në vende ku edhe ato ballafaqohen me krizën ekonomike, e ardhmja e tyre është në Kosovë. BE-ja ka një politik të qartë, nuk do të ketë azil, sepse ne jemi vend i sigurt. Problemet sociale duhet të kalohen bashkërisht.

Alban Dudushi: Në momentin e Protestave në Prishtinë, keni vizituar edhe policët e lënduar, por edhe protestuesit e lënduar…

Kadri Veseli: Realisht ishte një moment shumë i rëndë. Policët dhe protestuesit qëndronin në dhoma jo shumë larg nga njëri tjetri. Polici nuk foli asnjë fjalë të keqe për protestuesit. Kur shkova te protestuesit, asnjë fjalë të keqe për policët, -i kemi vëllezër- thoshin ata.

Alban Dudushi: Po kush i përplasi?

Kadri Veseli: Pavarësisht, ky është momenti emocional që ne duhet të ruhemi. Nëse shohim videot, gjejmë fajtor në të gjitha anët, por ne nuk duhet të gjejmë fajtor mes njëri-tjetrit.

Alban Dudushi: Në krye të atyre protestave ishte një prej liderëve më karizmatik në Kosovë, kryetar i VV, Albin Kurti. Qasja nacionaliste e zotit Kurti është diçka evidente në të gjitha daljet e tij publike. Ndërkohë që ju vini nga një histori nacionaliste në karrierën tuaj politike dhe ushtarake. Ku ndaheni ju me zotin Kurt?

Kadri Veseli: Askush nuk mund të masë dashurinë ndaj atdheut të tij, por ajo që mund të matet për ne janë veprimet tonë. Ne nuk mund të lindim patriot çdo ditë. Një pjesë shumë e madhe e jona që kemi qenë pjesë e UCK nuk mund të dëshmojmë më shumë dashuri për atdheun se ato veprime që ne kemi bërë në atë kohë. Të rinjtë tanë duhet të angazhohen më shumë në edukim, më shumë të jenë kritik përmes institucioneve tona dhë të mos na përkrahin nëse ne gabojmë, por asnjëherë me dhunë. Ata e mbajnë flamurin kuqezi nëpër rroba, unë nuk e bëj këtë, por Albin Kurti në shpirt nuk mund të jetë më tepër patriot se unë dhe se Hashim Thaçi. Ajo që është më e rëndësishme është që të ruajmë frymën e partneritetit ndërkombëtar dhe të respektojmë realitetin e ri. Bashkimi me Shqipërinë, çfarë synojmë me këtë të provokojmë apo të arrimë progres? Si të veprojmë, ta heqim fare flamurin që kemi dhe të qëndrojmë pa flamur? Atëherë po e largojmë presidentin Nishani dhe po sjellim Jahjagën, po largojmë Ramën dhe po vendosim Mustafën. Në OKB ne duhet të shkojmë si entitet shtetëror të pavarur. Rrethanat aktuale janë të tilla dhe në kemi arritur një sukses dhe nuk mund ta shkatërrojmë përmes kauzave që janë reale dhe të mëdha si bashkimi kombëtar.

Alban Dudushi: Ndoshta, nëse do të ishit më shumë pragmatist se idealist kur keni filluar luftën nuk do të ishim në këtë histori të ditëve të sotme.

Kadri Veseli: Nëse nuk do të kishim idealizëm nuk do të kisha ardhur në këtë studio. Procesi i idealizmit ka qenë shtysa kryesore, por ka qenë edhe pragmatizmi, të cilin e kemi shfrytëzuar në rrethana të interesit të atdheut tonë. Ëndërr për çdo shqiptar në ish-Jugosllavi ka qenë të jetë i lirë dhe këtë e kemi arritur. Sot po ballafaqohemi me largime masive për probleme sociale, të cilin e kam parë në Shqipëri në 1990, por këtë do ta shmangim me punën tonë.

Alban Dudushi: Një nga rreziqet më të mëdha të ditëve të sotme në botë është islami politik, apo radikalët islamik. Sipas lajmeve të kohëve të fundit, një pjesë e mirë e vullnetarëve kanë qenë nga Kosova…

Kadri Veseli: Ky është ai presioni dhe ai angazhimi jonë politik për ta integruar sa më shpejt Kosovën në BE. Ky është një alarm i kuq që ne të gjithë bashkërisht duhet të evitojmë. Islami është një fe e shenjtë që bazohet te zoti, por ne na ka karakterizuar gjithmonë toleranca. Nëse ata njerëz, me mjekra të gjata dhe me pantallona të shkurtra, të na ndërrojnë identitetin nuk do të kenë mundësi dhe shansin ta bëjnë një gjë të tillë. Jo vetëm se politika nuk do t’i lejojë këta persona, por baballarët tanë dhe besimtarët te Islami nuk do t’i lejojnë. Do të zhdukin 7 miliardë të botës për të jetuar vetëm 1 miliard? Kjo është një çmenduri, e cila në Kosovë do të ketë përgjegjësi institucionale. Shumë shpejt do të aprovohet ligji për luftëtarët e huaj dhe ndëshkimi do të jetë maksimal për të gjithë ata që janë armiq të Muhamedit dhe të Islamit. Njerëz që do të shkojnë në ato vende do të përballen me sanksione të ashpra. 

Top Channel