Barcelona nuk di të ndalet, pranë finales së Kupës së Mbretit

12/02/2015 00:00

Gjysmëfinalja e Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Vilarealit, e luajtur në “Camp Nou”, është dominuar totalisht nga lojtarët e drejtuar nga Luis Enrique.

Në 45 minutat e para Vilareali nuk arriti të shkonte thuajse asnjëherë në zonën e portierit të Barçës, ndërsa vendasit kontrolluan lojën dhe krijuan disa raste për shënim, por goli i avantazhit erdhi vetëm në minutën e 41 me të argjentinasin Lionel Messi.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm mjaft të lartë. Trigueros barazoi shifrat në minutën e 47 me një super gol pas një goditje nga distanca. Gëzimi i miqve zgjati shumë pak, pasi Iniesta kaloi sërish vendasit në avantazh dy minuta më vonë.

Mbrojtësi Pique shënoi edhe golin e tretë në minutën e 69-të, ndërsa braziliani Neymar nuk arriti të shkruante emrin në listën e golashënuesve edhe pse pati të drejtën për të ekzekutuar një 11-metërsh, të cilin nuk arriti ta realizonte.

Pas kësaj fitoreje me dy gola diferencë, Barcelona shkon e qetë në ndeshjen e kthimit në “El Madrigal”.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale, mes Bilbaos dhe Espanjolit përfundoi 1-1 dhe mbetet gjithçka për t’u vendosur në ndeshjen e kthimit.

Top Channel