BE: Greqia të respektojë detyrimet. Pritet takimi i krerëve të shteteve

12/02/2015 00:00

Ministrat e Financave të eurozonës nuk arritën në një konkluzion për Greqinë në mbledhjen e jashtëzakonshme, duke ia përcjellë çështjen samitit europian të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

“Ishte e dobishme për qeverinë greke të kuptonte se çfarë mendojnë vendet e tjera dhe institucionet mbi këtë situatë. Është mjaft e qartë se ka një vullnet të dyfishtë, për të respektuar rezultatin e zgjedhjeve në Greqi, por për të respektuar gjithashtu edhe angazhimet e tyre ndaj institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare”, tha Pierre Moscovici, Komisioner i BE-së për Financat, Ekonominë, Taksat e Doganat.

“Ne nuk i pamë me detaje propozimet. Nuk nisëm negociata për përmbajtjen e ndonjë programi. Thjesht u përpoqëm të punojmë mbi hapat e radhës në ditët në vijim, për të arritur progres përpara së hënës. Për fat të keq nuk ishim në gjendje për ta bërë këtë”, tha Jeroen Dijsselbloem, President i eurogrupit.

Përfaqësues të komunitetit grek në Belgjikë, por dhe mjaft qytetarë belg përkrahës të Greqisë, zhvilluan një protestë përpara selisë së Këshillit të BE-së, në prag të mbajtjes së takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Financave të eurozonës. Bisedimet pritet të vijojnë në nivel teknik deri në mbledhjen e radhës së eurogrupit, më 16 shkurt.

Top Channel