Korçë, operacion antikrim, sekuestrohen armë e municione

12/02/2015 00:00

Policia e qytetit të Korçës ka realizuar mëngjesin e së enjtes një operacion për parandalimin e akteve kriminale.

Burime policore lokale njoftojnë se gjatë operacionit janë bastisur disa banesa ku janë sekuestruar armë e municione, si dhe janë arrestuar poseduesit e tyre.

Sipas burimeve, në pranga kanë përfunduar tre persona, të identifikuar si Almir Xhihaliti, Landi Xhaholli dhe Jani Isa, të moshave 26, 45 dhe 34 vjeç.

Konkretisht, personave në fjalë iu sekuestruan: të parit, një pistoletë dhe një krehër; të dytit, dy pushkë M.36, dy krehëra me nga 13 fishekë dhe një armë gjahu; të tretit, një armë zjarri automatike M.56, 8 krehëra me nga 30 fishekë secili dhe një pistolete tip “Golt”.

Burimet saktësojnë më tej se po punohet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe se materialet së shpejti do t’i kalojnë Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.

Top Channel