Lame: Vetëdeklarimi përfundoi, 427 mijë ndërtime pa leje

12/02/2015 00:00

Për rreth 22 vjet janë ndërtuar gjithsej 427 mijë objekte pa leje. Pas mbylljes së procesit të vetëdeklarimeve, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, ka bërë publike për herë të parë një statistikë të paligjshmërisë së ndërtimeve, ku Tirana mban vendin e parë.

“Rekordin e mban Qarku i Tiranës, me 35 mijë e 680 ndërtime pa leje, nga të cilat 10 mijë e 680 vetëm në Bashkinë Tiranë. I fundit mbetet Qarku i Kukësit, me vetëm 1441 ndërtime pa leje. Nëse kësaj shifre prej 155 mijë ndërtimesh pa leje të reja, i shtojmë atë prej 272 mijë ndërtimesh pa leje të deklaruara deri kur u hap procesi i ri i vetëdeklarimeve, gjendemi përpara shifrës prej 427 mijë ndërtimesh pa leje të ndërtuara në Shqipëri, për periudhën nga viti ’92-’93 e deri më sot”, tha Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t.

Më 31 janar është mbyllur procesi i vetëdeklarimit të ndërtimeve pa leje dhe tani pritet që grupet e punës të ALUIZNI-t të nisin verifikimet e tyre në terren. Lame u bën thirrje qytetarëve, që të denoncojnë çdo rast abuzimi apo korrupsioni gjatë këtij procesi, ndërkohë që shprehet se tani askush nuk mund të ndërtojë më pa leje në territorin shqiptar.

Sipas ligjit të ri, përveç atij që ndërton pa leje dhe që ndëshkohet me 5 vjet burg, edhe ai që ndihmon për ndërtimin e një objekti të paligjshëm dënohet me burg deri në 3 vjet.

Top Channel