Maqedoni, protesta të studentëve kundër Ligjit për Arsimin e Lartë

12/02/2015 00:00

Studentët e Universitetit Kirili dhe Metodi në Shkup kanë bllokuar
ambientet e Fakultetit Filozofik, Filologjik dhe Ekonomik, për shkak
pakënaqësisë nga Ligji i ri për Arsim të Lartë.

Në korridoret e këtyre fakulteteve, ku kanë shpallur të ashtuquajturën ‘Zonë Autonome Akademike’, studentët kanë kaluar dhe nuk kanë lejuar të zhvillohet mësimi.

Në këtë mënyrë po tentojnë të ruajnë autonominë e universitetit që sipas tyre është cenuar nga pushteti.
 
Studentët, kundërshtojnë edhe vendimin e fundit të qeverisë që zbatimi i Ligjit të ri për arsim të lartë dhe aplikimi i provimit shtetëror nëpër universitete të shtyhet vetëm për  një vit.

Ata kërkojnë hartimin e një ligji tjetër, me të cilin pushteti do të përmbushte edhe kërkesat e studentëve.

 “Kërkojmë që Ligji të shtyhet deri në vitin 2018 dhe deri atëherë të hartohet një ligj i ri. Poashtu, kërkojmë që të firmoset një marrëveshje mes Rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit me të cilën do të garantohet pjesëmarrja e studentëve dhe profesorëve në hartimin e ligjit të ri për arsim të lartë”, tha Ana Knizheviç, studente.

Protestës së studentëve i janë bashkangjitur edhe disa profesorë.

 “Studentët po bëjnë përpjekje për të kthyer lirinë e universiteteve për të gjithë, edhe për ne profesorët që nuk ndërmorëm asgjë në këtë drejtim. Prej sot fillon një ardhmëri e re për Maqedoninë. Jam krenare që janë profesoreshë e këtyre fëmijëve që na sollën deri këtu”, thotë Sinolicka Trpkova, pedagoge.

Top Channel