Debat në kuvend për vrasjet pas luftës

12/02/2015 00:00

Vrasjet e pasluftës në Kosovë janë bërë pjesë e debatit në seancën e
Kuvendit të Kosovës. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Dorentina Maloku e ka bërë përgjegjës kryeparlamentarin Kadri Veseli si
ish-udhëheqës i SHIK-ut se ka lidhje me ato vrasje.

Deputetja Maloku e cila është e bija  e veprimtarit të LDK-së Enver Maloku që është vrarë pas luftës, i ka thënë Veselit se ai dhe SHIK-u duhet të japë llogari për vrasjet e jo të ndjejë keqardhje për familjet e të vrarëve.

Por kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka reaguar menjëherë duke thënë se për vrasjet e pasluftës të gjithë duhet t’i drejtohen organeve të drejtësisë, pasi vetëm atëherë do të ketë paqe dhe qetësi. Përgjigjja e Veselit nuk e qetësoi deputeten Maloku, e cila ia kujtoi Veselit edhe disa raste të denoncuara nga Nazim Bllaca, që është prezantuar si ish-agjent i SHIK-ut.

Kryetari i Kuvendit ka kërkuar që mos të përdoret foltorja e Kuvendit për akuza dhe kundër akuza, duke ftuar të gjithë që për dyshime të caktuara të ju drejtohen organeve të drejtësisë.

Top Channel