Rumania, kampione në luftën kundër korrupsionit

12/02/2015 00:00

Lufta kundër korrupsionit në Rumani është forcuar aq shumë sa nuk ka ditë, thonë mediat e huaja, që të mos çelet një proces gjyqësor kundër personave të njohur, çka po krijon bindjen se askush nuk është i paprekshëm.

Arrestimet e figurave nga politika, drejtësia, shtypi dhe ekonomia tregojnë sesa fuqishëm janë angazhuar autoritetet në këtë drejtim, por edhe se çfarë përmasash të frikshme ka marrë ky fenomen në vend.

Korrupsioni shtrihet deri në gjykimin rezultateve të mira në shkollë, çmimet e dhëna për letërsinë, apo për liçenca për marrëveshje ndërkombëtare pa tenderim publik.

Kjo e fundit ka sjellë aktualisht një nga rastet më flagrante të regjistruara në Rumani: afera e Microsoft. Në vitin 2004, shteti rumun bleu liçenca të Microsoft për programe, me të cilat duhet të pajiseshin shkollat.

Por në xhepat e disa ndërmjetësve mendohet se përfunduan shuma milionere. Përr rrjedhojë janë paditur në gjyq biznesmenë dhe nëntë ish-ministra.

Rreth 1.500 vetë janë arrestuar vitet e fundit për korrupsion dhe shpërdorim posti, ndër të cilët, siç pohon “DW”, ka ish-ministra, kryetarë bashkish, gjykatës dhe drejtues të zyrave qeveritare.

Tetë ish-ministra janë dënuar ndërkohë me dënime shumëvjeçare arresti, një bilanc që me të drejtë u vlerësua pozitivisht në raportin e ri të monitorimit të Komisionit Evropian për Rumaninë.

Askush nuk duket se po kursehet: as përfaqësues influentë të sipërmarrjeve mediatike, as ata që i kanë shpallur vetë luftë korrupsionit, as politikanë të të gjitha ngjyrave. Persona të të gjitha qarqeve arrestohen tani publikisht dhe nxirren me pranga në publik.

Nuk dihet sesa këto masa do të ndikojnë në ndryshimin e mentalitetit të njerëzve, por presioni i Zyrës Kundër Korrupsionit, DNA, ka nisur të ketë efekt e mjaft vëzhgues presin që drejtësia ta detyrojë të gjithë sistemin politik që të ndërmarrë një reformë të thellë.

Top Channel