Punëtorët e “Grand Hotel” akuzojnë shtetin për korrupsion

12/02/2015 00:00

Punëtorët e ndërmarrjes shoqërore “Grand Hotel” akuzojnë zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për përfshirje në afera korruptive në rastin e objekteve të hotelit të lëshuara me qera.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve, Mustafa Ahmeti vendosi t’i bëjë publike dyshimet e tij tani kur “Grand” ka hyrë në fazën e likuidimit dhe AKP-ja këtë të mërkurë u përpoq të largojë 92 punëtorë nga puna.

Sipas Ahmetit, bëhet fjalë për objekte të cilat AKP-ja zyrtarisht i ka dhënë me çmime më të lira, por në anën tjetër qiramarrësit kanë dhënë shuma të konsiderueshme parash për zyrtarët e AKP-së në formë haraçi.

Ahmeti tha se për të gjitha dyshimet është njoftuar bordi menaxhues i AKP-së dhe Kuvendi i Kosovës. Raste të tjera të paraqitura në shkresën dorëzuar institucioneve kanë të bëjnë me dhënie të hapësirave të “Grand” pa tender, ose me çmime shumë të lira.

Mes shumë shkeljeve përmendet edhe një reklamë e grupit për të cilën kompania “Media Works” paguhet çdo muaj 350 euro, ndërkohë që “Grand” paguan më vete 4.000 euro për reklamë.

Lidhur me largimin e punonjësve nga puna, Ahmeti tha se e gjithë kjo po bëhet pasi AKP-ja dëshiron që hapësirat e “Grand” t’i lëshojë me qera për përfitime. Sipas tij, kur një ndërmarrje është funksionale është e paarsyeshme të largohen punëtorët nga puna deri në shitjen e saj.

Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk pranoi të flasë për këtë çështje e as për akuzat që zyrtarët e saj ngarkohen. Punëtorët ndërkaq do të vazhdojnë punën deri në një vendim të ri.

Por, sipas nenit 8 të ligjit të AKP-së, në momentin e përfshirjes së ndërmarrjes në likuidim bëhet edhe njoftimi për anulimin e të gjitha kontratave të punës ndërmjet ndërmarjres dhe punonjësve.

Dyshimet për afera korruptive dhe konteste e kanë shoqeruar këtë ndërmarrje që nga viti 2006, kur ishte shitur për 8 milionë euro me zotimin se për dy vjet do të investoheshin 20 milionë euro.

Meqë investimet nuk janë realizuar, AKP-ja e ka kthyer ndërmarrjen në pronësi të saj. I përfshirë në këtë proces ka qenë edhe ish-zv.kryeministri Behgjet Pacolli, i cili pretendonte pronësi mbi “Grand” pas marrëveshjeve me blerësin për investime.

Ndërkohë, dyshimet për afera korruptive për të cilat ka pasur edhe hetime nga prokuroria kanë përfshirë edhe ish-shefin e AKP-së, Dino Asanaj, i cili në 2012 vdiq nga plagët e marra me thikë, në një rast që u klasifikua si vetëvrasje, pak kohë pasi u akuzua se përmjes sekserëve kishte kërkuar para për zgjidhjen e kontestit të “Grand”. Ndërsë hetimet për aferën pushuan për mungesë provash.

Top Channel