Kosovë, Jahjaga pret zyrtarin e DASH

12/02/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti këtë të enjte në një takim zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Sipas një komunikate për shtyp nga Presidenca, Jahjaga gjatë takimit theksoi se marrëveshja e arritur në Bruksel për çështjen e drejtësisë është parë si pozitive dhe si një hap drejt vendosjes së ligjit e rendit në pjesën veriore të Kosovës, përmes një sistemi unik të drejtësisë dhe në respekt të ligjeve të Kosovës, por tha se procesi i dialogut duhet të jetë plotësisht i hapur dhe transparent për qytetarët.

Ajo e njohu Yee edhe me zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht me fenomenin e largimit të qytetarëve nga vendi, si dhe angazhimin që e saj për të takuar qytetarët dhe për të biseduar me ta.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po përmbush detyrimet karshi bashkësisë ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, duke e njoftuar zotin Yee me angazhimin e të gjitha institucioneve në procesin gjithëpërfshirës të krijimit të Gjykatës Speciale.

Ajo tha se Kosova duhet të përfshihet në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë dhe në veçanti ata të sigurisë, duke theksuar nevojën e ndërtimit të marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n dhe përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe.

Kryetarja e shtetit tha se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm kur duhet të bëhet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura dhe në këtë drejtim falënderoi qeverinë e SHBA për mbështetjen.

Ndërsa zyrtari amerikan, Hoyt Yee e përgëzoi presidenten Jahjaga për lidershipin dhe udhëheqjen e gjithë procesit të lehtësimit të diskutimeve mes partive politike që çoi në zgjidhjen e krizës institucionale dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës.

Ai vlerësoi rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel. “Ky proces duhet të vazhdojë, meqë çon drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe siguron stabilitetin në rajonin e Ballkanit”, tha Hoyt.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit shtoi se Kosova tani duhet të punojë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, të thellojë reformat në vend duke punuar në zhvillimin ekonomik, që ndihmon në perspektivën e qartë evropiane të vendit.

Top Channel