Deputeti gjerman: Politika të jetë e bashkuar për çështjen e integrimit

12/02/2015 00:00

Manuel Sarrazin, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane
në Bundestag, në përfundim të një vizite dyditore në Tiranë, thotë në
një intervistë për Top Channel, se së bashku me kolegët e tij i kanë
kërkuar opozitës dhe maxhorancës t’i largohen sherreve politike për
procesin e integrimit.

“Ne kemi ardhur këtu si një delegacion gjithë partiak. Mesazhi ynë i përbashkët që u përcollëm të gjithë politikanëve shqiptarë ishte se ne duam të ecim bashkarisht me ju në rrugën e integrimit europian, por ju duhet në mënyrë të qartë të na tregoni se keni një axhendë të unifikuar përsa i përket integrimit. Jemi të vetëdijshëm që kjo për minorancën, pra opozitën dhe shumicat qeverisëse nuk është e lehtë Por kur vjen puna tek integrimi kjo nuk duhet të kthehet në një betejë. Mendoj se shumica duhet t’i respektojë të drejtat e pakicës sikurse edhe pakica nuk duhet të rri duarlidhur për integrimin. Këtë ia shprehëm të gjitha partive gjë për të cilën ata u dakortësuan me ne”, tha Sarrazin.

Deputeti Sarazin, i Partisë së Gjelbër Gjermane, i pyetur se si cili është vlerësimi delegacionit gjerman për vijueshmërinë e procesit të integrimit, jep këtë përgjigje: “Përfaqësues të Parlamentit Gjerman shpeshherë vizitojnë vendet kandidate për në BE, për të patur një fotografim prej tyre të situatës. Kjo ndodh, pasi për zgjerimin ne votojmë në Parlament dhe për t’i thënë popullit gjerman arsyet përse ne jemi të angazhuar në procesin e zgjerimit. Mund të them se gjatë viteve të fundit Shqipëria ka bërë progres. Qeveria dhe opozita janë të angazhuara në plotësimin e 5 pririteteve, por vërehen mangësi për të patur sukses.  Ne duam që procesi reformave të avancojë nëpërmjet një strukture të qartë reformash në mënyrë të veçantë reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.Kemi të bëjmë me një panoramë komplekse por  shikojmë se gjërat janë duke lëvizur, por duhet implementimi këtyre reformave”.

Top Channel