Rritet çmimi i naftes, tregu vendas reflekton rrufeshëm rritjen në bursa

12/02/2015 00:00

Çmimi në tregun vendas ka filluar të rritet sërish. Në pikat me pakicë
të karburanteve një litër naftë aktualisht shitet nga 166 deri në 170
lekë ose rreth 5 deri në 8 lekë më shumë nga një javë më parë.

Tregtarët thonë se shkaku i rritjes së çmimit lidhet me zhvillimet e fundit në bursat ndërkombëtare, ku pas një serie të gjatë rënie, dy javët e fundit çmimi i naftës është rritur. Sipas BBC, nga 49 dollarë për fuçi që ishte në fund të janarit, çmimi i naftës aktualisht është rritur në 55 dollarë ose me afro 12 për qind.

Edhe këtë herë tregu vendas ka reaguar në mënyrë asimetrike naj lëvizjeve të çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare. Çmimi i naftës filloi pikiatën në tregjet botërore verën e vitit të kaluar. Pasi arriti rekordin 115 dollarë për fuçi në muajin korrik, dy muaj më vonë në tetor çmimi në bursa kishte rënë në 85 dollarë ose rreth 26 për qind.  

Por sërish në tregun vendas nafta shitej me të njëtin çmim si më parë.

Sipas ‘Global Petrol Prices’, një sajt që monitoron çmimet me pakice të karburanteve në 180 vende të botës, çmimi i karburanteve në tregun shqiptar filloi të bjerë vetëm në gjysmën e dytë të nëntorit, kur në bursa ai kishte cekur nivelin 70 dollarë.
 
Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Doganave të publikuara pak kohë më parë nga Top Channel treguan se një pjesë e mosreagimit të çmimeve në pikat me pakicë vinte për shkak të forcimit të dollarit, por një pjesë tjetër prej rreth 9.6 lekë për litër ishte mbajtur nga tregtarët si shtesë në fitim.

Por ndryshe nga ngurtësia që shfaq kur çmimi në bursa ulet, në kahun tjetër kur ato rriten ndodh e kundërta, tregu vendas reagon thuajse menjëherë. Siç e konfirmoi edhe rasti i fundit, brenda vetëm dy javëve. 

Top Channel