Korçë, përkujtohet 110-vjetori i vrasjes së Papa Kristo Negovanit

12/02/2015 00:00

Kleriku ortodoks, patrioti Papa Kristo Negovani, në 110-vjetorin e masakrimit të tij nga grekët është përkujtuar në qytetin e Korçës. Organizimi ka nisur në Muzeun Kombëtar të Arsimit, ku vizitorë të shumtë kanë marrë një përshëndetje edhe nga nipi i tij, Kiço Negovani, i sëmurë në Tiranë.

Në muze u publikua për herë të parë fotoportreti i plotë i Papa Kristo Negovanit, për herë të parë imazhi i Papa Theodhos Negovanit, vëllait të tij, i cili njëkohësisht u masakrua më 12 shkurt 1905 në fshatin shqiptar të Negovanit.

Interesante në këtë ekspozitë ishte një gravurë e kohës, e cila trajtonte momentin e masakrimit të Papa Kristos. Pjesëmarrësit në këtë ceremoni vizituan edhe muzeun e shkollës së parë shqipe. Ajo që ka pasur rëndësinë më të madhe ka qenë përshpirtja e mbajtur në katedralen e qytetit në përkujtim të tij. Besimtarë të shumtë nga Korça dhe Kolonja kanë marrë pjesë në këtë përshpirtje, e para pas mëse 70 vitesh për figura të tilla kombëtare.

Në këtë meshë kanë marrë pjesë pasues të shumë rilindasve dhe figurave të njohura, si Mitrush Kuteli, Mihal Grameno, Gavril Pepo, Hil Mosi, Marigo Posio, Jovan Kosturi, Petro Luarasi, at Stath Melani, etj.

Në ceremoni ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë Ersekë, kryetarja e Qarkut, por mungoi kryebashkiaku i Korçës. Papa Kristo Negovani është masakruar më 12 shkurt 1905, pasi mësonte shqip dhe hapi shkolla në gjuhën shqipe në Negovan, sot në Greqi.

Top Channel