Mjedisi, kërkohet rritja e tarifës së pastrimit. Deri në 2020, çdo njësi vendore me impiant përpunimi

12/02/2015 00:00

Pranë brigjeve të lumenjve vijojnë të depozitohen dhjetëra ton mbetje, duke i shkaktuar vendit një katastrofë mjedisore. Zëvendësministrja e Mjedisit, Olijana Ifti, tha se do të kërkohet rritja e tarifës për pastrimin dhe do të punohet për mbylljen e dhjetëra vendgrumbullimeve deri në vitin 2020.

“Do të ketë një rritje të tarifës, pasi është një parim kombëtar: ndotësi paguan. Ne kemi tarifa shumë të ulëta dhe në qoftë se duam të kemi një qytet më të pastër, një ambient më të shëndetshëm, padyshim që rrisim tarifat për qytetarët e bizneset, konform mbetjeve që gjenerojnë. Kemi 65 vendgrumbullime në zonat urbane dhe rreth 200 në zonat rurale, thuajse të gjitha janë jashtë çdo standardi. Ne kemi parashikuar në dokumentin tonë strategjik, Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, të cilat duhet të përfundojnë brenda vitit 2020”, tha zv.ministrja Ifti.

Menaxhimi i mbetjeve në vend vijon të mbetet një nga sfidat më të mëdha për Qeverinë dhe pushtetin vendor, i cili ka peshën më të madhe në realizimin e tij. Edhe pse ligji u miratua me shpejtësi në Parlament, zbatimi i tij është shumë larg. Në vendin tonë nuk ka ende një landfill për inertet, si dhe për mbetjet e rrezikshme, ndërsa ka ende shumë probleme për vendosjen në punë të landfilleve aktuale.

Në kuadër të ndarjes së re territoriale, Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve do të studiojë mundësinë e ndërtimit në çdo njësi të madhe vendore të një impianti përpunim-riciklimi të mbetjeve, si mënyrë për t’i dhënë zgjidhje një prej problemeve më të mëdha në nivel kombëtar.

Top Channel