Matësat inteligjente, Qeveria dhe ‘Deutsche Telecom’, gati projektin për 10 mijë aparate

12/02/2015 00:00

Qeveria shqiptare në bashkëpunim me “Deutsche Telecom”, avancon përpjekjet në parandalimin e vjedhjes së energjisë elektrike dhe transformimin rrënjësor, siç e cilësoi Kryeministri Edi Rama matjen e energjisë së konsumuar përmes matësave inteligjentë.

“Kemi rënë dakort të nisim së bashku punën për një projekt pilot, i cili do të mbulohet tërësisht nga pikëpamja financiare nga kompania Deutsche Telecom, që nga ana e vet është e interesuar të shikojë përmes këtij projekti gjithë të dhënat e terrenit, vështirësitë, sfidat që duhet të përballojë kjo risi teknologjike kaq rrënjësore dhe kaq e rëndësishme. vendosja e rreth 10 mijë matësave inteligjentë, në disa zona që janë përcaktuar së bashku me grupin teknik të Deutsche Telecom, me karakteristika të ndryshme ku sfidat janë të ndryshme që nga përgjatë autostradës, aty ku problematika e humbjeve është e madhe, deri në disa zona informale apo të vjetra urbane”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Claudia Nemat, anëtare e Bordit Drejtues të “Deutsche Telecom” thotë se është e kënaqur që në muajt në vazhdim do të krijohet mundësia për të treguar në Shqipëri rolin udhëheqës të “Deutsche Telecom” në teknologji.

“Ndodhem këtu në emër të grupit Deutsche Telecom, të shpreh mbështetjen tonë ndaj nismës së qeverisë shqiptare për modernizimin e sektorit të energjisë dhe fushatës pasuese për parandalimin e shpërdorimit të energjisë elektrike. Nëpërmjet projektit pilot të matësve inteligjentë, i cili do të fillojë në muajtë në vazhdim, teknologjia dhe ekspertiza e përparuar gjermane çelin rrugën drejt të ardhmes dixhitale të Shqipërisë”, tha Claudia Nemat, anëtare e Bordit Drejtues të “Deutsche Telecom”.

Gjatë viteve të fundit “Deutsche Telecom” ka aplikuar vendosjen e matësave inteligjentë në Gjermani dhe Afrikën e Jugut.

Top Channel