Angli, ndalohet duhanpirja në makinë, nëse je me fëmijët. Gjobë 50 paund

12/02/2015 00:00

Anglia ka ndaluar së fundi duhanpirjen edhe nëpër makinat private, në çdo rast kur të pranishëm janë edhe fëmijët, një ligj që do të hyjë në fuqi duke nisur nga 1 tetori, ndërkohë që shkelësit do të duhet të paguajnë një gjobë prej 50 paund (77 dollarë).

Ligji thekson se duhanpirja brenda mjetit privat do të përbëjë një shkelje, nëse në të gjendet ndonjë fëmijë nën 18 vjeç, dhe dështimi për ta parandaluar pirjen e duhanit në këto rrethana do të gjobitet.

Ligji i ri do të jetë i aplikueshëm për mjetet e mbyllura dhe private, por jo për dikë që e nget i vetëm makinën.

“3 milionë fëmijë janë të ekspozuar ndaj duhanpirjes nga persona të tjerë brenda mjeteve të udhëtimit, duke vendosur shëndetin e tyre në rrezik”, tha ministri i Shëndetit Publik, Jane Ellis. “E dimë se shumëkush mund të ndihet i shqetësuar apo i frikësuar t’u kërkojë më të rriturve të ndalin pirjen e duhanit, ndaj dhe për këtë qëllim kemi vendosur këtë rregullore si një hap i rëndësishëm për të mbrojtur fëmijët nga dëmtimet që mund të pësojnë prej duhanpirësve të tjerë”.

Fondacioni britanik i Mushkërive ka bërë të ditur se më shumë se 80 përqind e tymit të duhanpirësve të tjerë përmban lëndë toksike që shkaktojnë kancer, gjë që është në një densitet më të madh brenda makinave të mbyllura.

Fëmijët janë më të prekshëm ndaj efekteve të dëmshme, sepse mushkëritë e tyre janë të vogla, ata marrin frymë më shpesh dhe kanë sisteme imuniteti më pak të zhvilluara.

Uellsi lançoi një nismë të ngjashme vitin e kaluar dhe ligji është bashkëngjitur ndalimit të duhanpirjes nëpër vendet e punës dhe vendet e mbyllura publike, që ka hyrë në fuqi në Angli që nga korriku i vitit 2007. Ndalimet ekzistojnë edhe në disa juridiksione në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Australi, ndërsa vende të tjera janë duke e marrë në konsideratë një masë të tillë.

Afrika e Jugut dhe Bahreini nuk e lejojnë duhanpirjen në makina me fëmijë të pranishëm, ndërsa Mauritania e ka ndaluar duhanpirjen në të gjitha mjetet që kanë pasagjerë mbi to.

Top Channel