E vërteta e masakrës në Sheshin Maidan

12/02/2015 00:00

Mëngjesin e 20 shkurtit të një viti më parë, Sheshi Maidan, i shndërruar në simbol të protestës kundër presidentit të atëhershëm ukrainas, Viktor Yanukovych ishte i ndarë në dy pjesë; nga njëra anë protestuesit e opozitës dhe në anën tjetër forcat e sigurisë.

Kjo situatë vazhdonte prej dy muajsh, por pikërisht këtë ditë ngjarjet do të merrnin një tjetër rrjedhë. 20 shkurti 2014 është dita më e përgjakshme në historinë moderne të Ukrainës, që u mbyll me 50 protestues dhe 3 policë të vdekur.

Këto ngjarje larguan nga pushteti presidentin pro-rus, Viktor Yanukovych dhe sollën qeverinë e re. Një vit në pushtet drejtuesit e rinj ukrainas fajësojnë për gjithçka që ndodhi atë 20 shkurt në sheshin qendror të Kievit forcat e sigurisë.

Por një hetim i BBC-së tregon se të shtënat nuk mbërritën vetëm nga policia. BBC citon një protagonist të asaj dite, që në kushte anonime e quan Sergei. Sergei thotë se më 20 shkurt i dhanë një armë, që ai beson se ishin njerëzit e Andriy Parubiy, i njohur në atë kohë si “Komandanti i Maidanit”, përgjegjës për sigurinë në kampin e protestuesve, i cili sot mban postin e zv.kryetarit të parlamentit.

“Më dhanë një armë dhe më thanë që të vendosesha në një pozicion për të qëlluar. U vendosa së bashku me tre persona të tjerë në një ndërtesë nga ku shihnim forcat e policisë. Nisëm të qëllonim nga këmbët për t’i detyruar që të tërhiqen. Mund t’i qëllonim edhe në trup, mund të qëllonim për të vrarë, por s’e bëmë”, thotë ai.

Atë mëngjes, Andriy Shevchenko (jo ish-futbollisti i famshëm ukrainas), në atë kohë deputet opozitar në parlamentin ukrainas mori një telefonatë nga komandanti i forcave të sigurisë në sheshin Maidan.

“Më mori në telefon dhe më tha; Andriy dikush po qëllon mbi djemtë e mi. Kam tre djem të plagosur”, thotë ai.

Vetëm pas kësaj forcat e policisë nisën të tërhiqeshin dhe në tërheqje e sipër edhe të qëllonin me armë në drejtim të protestuesve në një betejë që zgjati për disa orë e që mbylli ditën e përgjakshme.

Familjarë dhe të afërm të viktimave sot ende kërkojnë drejtësi, por pavarësisht kësaj, vetëm tre ish-pjesëtarë të forcave të sigurisë janë në proces gjyqësor, e nga këta vetëm dy me rangun më të ulët janë në burg.

E në mungesë të drejtësisë dhe të zbardhjes së mjegullnajës se asaj dite teoritë konspirative lulëzojnë. Përfaqësues të qeverisë së re ukrainase thonë se ata që qëlluan më 20 shkurtin e një viti më parë ishin snajpera të ardhur nga Rusia për të destabilizuar vendin dhe për të justifikuar aneksimin e Krimesë, ndërsa për rusët gjithçka ishte një organizim i CIA-s për të ndryshuar me dhunë pushtetin e për të shkëputur nga orbita ruse Ukrainën.

Që të dyja palët s’kanë asnjë provë për të vërtetuar pretendimet e tyre; e vetmja provë e asaj dite janë pamjet e përgjakshme dhe 53 viktimat.

Top Channel