Duetet e jetës reale mes muzikantëve shqiptarë

12/02/2015 00:00

Dashuria krijon melodi të ëmbël. Ndonjëherë muzikantëve nuk u duhet të shohin përtej posterave, për të gjetur njeriun e jetës. Edhe pse të famshëm, të suksesshëm, ata dashurojnë njësoj si ne.

Por cilat janë disa nga duetet e jetës reale mes muzikantëve më të njohur shqiptare?

Një ndër çiftet më të dashura për publikun në fillimin e viteve ’90 ishte ai mes kompozitorit Shpëtim Saraçi e këngëtares Mira Konçi. Bashkëpunimi profesional ndezi shkëndijën e një historie të bukur e të gjatë dashurie. Ata janë bashkë, siç kanë premtuar “në të mirë e në të keq”, dhe janë prindërit e dy fëmijëve, Drinit dhe Erës.

Një ndër historitë më të qëndrueshme të dashurisë së “shoëbizz”-it është ajo e këngëtares dhe prezantueses Eneda Tarifa me producentin dhe kompozitorin, Erjon Zaloshnja. Ata, gjatë 17 viteve të lidhjes së tyre, kanë pasur disa bashkëpunime muzikore të suksesshme dhe një jetë të mbushur personale, që është zbukuruar me ardhjen në jetë të vajzës së tyre, Aria.

Juljana Pasha dhe Altin Llakaj janë një çift, që i ka lidhur muzika dhe jeta 8 vjet më parë. Bashkëpunëtorë në “live”, janë dashuruar që në momentin e parë, që ajo ka dëgjuar tingullin e kitares së tij dhe ai zërin e saj. Janë gjithmonë bashkë në jetë dhe në çdo performancë të tyre.

Mexosopranoja Vikena Kamenica dhe oboisti Erik Tauzi, edhe pse kanë qenë në të njëjtën klasë në Lice, u njohën me njëri-tjetrin për të mos u ndarë asnjëherë në TKOB. Historia e tyre ka nisur në vitin 2006, ndërsa në 2011-n ata u bënë prindër të një vajze, që e quajtën Krista.

Këngëtarja Denisa Gjezo dhe bateristi Besi Xhemnica janë takuar në turne, në jug të Shqipërisë, dhe para 6 vitesh vendosën që lidhjen e tyre ta finalizojnë në altar.

Jo gjithmonë vokalistet apo këngëtaret janë femra dhe partnerët e tyre instrumentistë apo kompozitorë. Këtë rregull e përmbys djali i Alfred Kaçinarit, që fitoi popullaritet në “The Voice”, Gjergj Kaçinari, me Inën, instrumentisten e grupit “Gjergj Kaçinari Band”.

Këto janë disa nga lidhjet e dashurisë të kurorëzuara, ndërsa shumë të tjera janë mbajtur larg syve të publikut. Kryesisht kjo është një zgjedhje e çifteve me të dy partnerët këngëtarë.

Kështu ka qenë edhe fillimi i historisë së dashurisë për këngëtarët Alban Skënderaj e Mirjam Cani, ku as nuk pohonin, por as nuk e mohonin një lidhje mes tyre. Por, pasi lidhja u bë e ditur, ata ndanë me fansat e tyre edhe momentin e propozimit. Shumë vajza do të donin të merrnin një propozim për martesë në thellësitë e oqeanit Indian, si ai në të cilin Miriami tha “Po”.

Po të njëjtin kuriozitet ka pasur edhe për çiftin e këngëtarëve Big Basta e Vesa Luma. Miqtë dhe mediat rozë flisnin për një lidhje mes tyre, ndërsa ata ndienjat donin t’i ndanin vetëm me njëri-tjetrin, deri më 12.12.2012, në orën 12:12, kur Big Basta i propozoi Vesës në kullën Eiffel.

Komente të shumta kanë shoqëruar lidhjen e çiftit Bojken Lako e Semi Jaupaj. Ata janë martuar në vitin 2013, pa ceremoni e bujë. Prej asaj kohe, ata janë në jetë e në skenë bashkë, me të njëjtin stil në të veshur e në muzikë.

Silva Gunbardhi dhe Dafi, pasi gjetën suksesin në diasporë me duetin e tyre, zbuluan edhe dashurinë për njëri-tjetrin. Ata janë në pritje të ëmbël.

Ndërsa çifte të tjera këngëtarësh janë duke u përfolur për një lidhje mes tyre, si për shembull Yang Zerka e Dhurata Dora, etj. Duket se binomi muzikë-dashuri funksionon më së miri.

Dëshmi e kësaj janë çiftet Nina dhe Avni Mula, të cilët u dashuruan në Konservatorin e Moskës, si dhe Luiza e Gaqo Çako, të cilët festojnë këtë vit 54-vjetorin e martesës. Ata janë njohur që në Liceun Artistik, por pas studimeve në Moskë kuptuan se do të plakeshin së bashku.

Top Channel