“50 hijet e Greit”, a është filmi një zhgënjim?

12/02/2015 00:00

“Fifty Shades of Grey”, libri më i nxehtë i verës, tashmë është gati të projektojë imazhe dhe skena provokuese në ekranet e kinemave anekënd botës. Edhe pse sipari i premierave është përcaktuar nga producentët e filmit të ngrihet më 14 shkurt, Shqipëria këtë herë erdhi në pararojë.

“50 hijet e Greit” është një dramë erotike-romantike amerikane, bazuar në triologjinë e romaneve me të njëjtin emër, shkruar nga E. L. James. Me regji të Sam Taylor-Johnson dhe skenar të Kelly Marcel, libri dhe së fundmi filmi kanë ngjallur shumë diskutime për përmasat e erotikës, për rolin që i jep gruas, duke e shndërruar atë në një lodër seksuale, dhe devijimet që shfaq përmes sjelljeve seksuale personazhi kryesor Christian Grey.

Nga ana tjetër, edhe dy autoret e filmit, të cilat janë gra: Kelly dhe Sem, kanë treguar në intervista të ndryshme se ato e kanë pasur shumë të vështirë të punojnë për këtë subjekt. Ka pasur përplasje për idenë që ato donin të sillnin për një prodhim, i cili duhej të kishte shumë skena të nxehta, e për më tepër ngre diskutimin mbi çështjen gjinore.

Pak orë para premierës në Amerikë dhe një ditë pas shfaqjes së tij në Tiranë, kritika ndërkombëtare shkruan se “50 hijet e Greit” nuk është aspak një film siç pritej. Pritshmëritë për të ishin për një prodhim të nxehtë dhe shumë erotik, ndërkohë që filmi nuk duket të jetë përcjellë i tillë. Të zhgënjyer, kritikët shkruajnë se ai është një film i vakët në aspektin seksual. Epo ata që presin seks të shfrenuar në këtë film, duket se nuk do të kenë edhe aq shumë skena të tilla. Regjisorja ka marrë masa që, edhe ato skena erotike që shfaqen të kenë një lloj përkujdesjeje.

Anastasia Steele, një studente e virgjër, fillon një marrëdhënie sadomazokiste me biznesmenin e ri, sharmant dhe shumë të suksesshëm, Christian Grey. Tërheqja mes tyre është e menjëhershme dhe elektrizuese. Por, shumë shpejt Anastasia kupton se Christian është i interesuar vetëm për të pasur një marrëdhënie me rregulla të përcaktuara. Ndërsa ata ia nisin intensivisht punës për një marrëveshje pasionante, ai i prezanton asaj preferencat e veçanta dhe shumë të errëta seksuale. Këtu edhe ajo e gjen veten duke zbuluar për herë të parë përjetimet seksuale.

Top Channel