“50 hijet”, vetëm për zonjat e Tiranës!

12/02/2015 00:00

Shqipëria sërish ia del të jetë e para në botë. Këtë herë e nxjerr në krye të listës filmi “50 hijet e Greit”. Në një event të organizuar në Tiranë u prezantua filmi, që ende nuk e ka shfaqur premierën botërore.

Ishin ftuar vetëm femra, për të ndjekur filmin me skenat erotike më të përfoluara të kohëve të fundit. Për të rritur pak temperaturat në këtë natë të ftohtë shkurti, organziatorët kishin zgjedhur të shërbejnë verë të ngrohtë me kanellë.

Filmi më i shumëpritur për këtë Shën Valentin, duket se i ndan femrat për sa i përket idesë së nënshtrimit të femrës në të.

“Nuk më duket e nënshtruar femra, të paktën me aq sa kam kuptuar unë. Besoj se ajo donte dhe ashtu vazhdonte. Përndryshe do ta kishte ndërprerë atë marrëdhënie”.

“Indirekt mund ta nënshtrojë femrën. Filmi ka në thelb plotësimin e kënaqësive të mashkullit, çuarjen deri në fund apo në ekstremitet të egoizmit të tij në lidhje me kënaqësitë seksuale, ndaj indirekt e nënshtron femrën… Por, mbase në vëllimin e tretë, mund të jetë femra protagoniste e këtij filmi”.

Ushqime të dizenjuara me fantazi dhe dashuri shoqëronin këtë event jo të zakonshëm. E ku i dihet si i perceptojnë pjesëmarrëset, teksa i shijojnë plot kënaqësi. Janë të gjitha të përzgjedhura me ftesa të veçanta dhe e dinin që s’do kishte asnjë mashkull.

“Nuk di si ta shpjegoj, sepse ndoshta vij nga Italia, por këtu gjej vetëm femra në një kohë që atje do të kishte edhe meshkuj. Nuk e di, ndoshta janë gratë më përparimtare këtu, sepse shumë njerëz më shkruajtën se ku po shkoja, ç’ishte ai film që do shikoja”.

“Është një organizim që mua më pëlqeu, më pëlqejnë këto gjërat e reja”.

Gjithë këto vajza të bukura nuk mund të linin pas dore veshjen.

“Ky event, përderi sa është i gjithi me femra kaq sharmante dhe kaq të bukura, domosdoshmërisht edhe unë i kushtova rëndësi veshjes. Por mezi po pres të shikoj filmin sesa i bukur do jetë, duke qenë se ka pasur shumë komente për të”.

Në sallën plot me femra, të gjitha mezi prisnin skenat e nxehta, por dikush i përgatiti, që të mos zhgënjeheshin dhe të frenonin fantazinë.

“Tematika e filmit është keqkuptuar, sepse filmi ashtu si dhe libri është thjesht një histori dashurie, dhe si shumë libra dhe filma të tjerë të huaj kanë edhe skena të tjera. Thjesht ndryshimi është se nëse në një film tjetër sheh dy minuta skena të nxehta, këtu mund të jenë 5 minuta, por nuk ka ndonjë ndryshim”.

Megjithëse një ditë më pas shumë nga shikueset nuk janë ndarë të kënaqura me filmin, gjërat asnjëherë nuk janë ashtu siç duken dhe pritshmëritë duhet të mbahen nën kontroll.

Top Channel