Zbardhet marrëveshja në Kuvend, Mustafa: Gjykata e Mitrovicës në dy objekte, jo në baza etnike

12/02/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shpalosi detaje të reja të marrëveshjes Prishtinë-Beograd për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës.

Gjatë raportimit në Kuvend, ai tha se nuk do të ketë ndarje në baza etnike, por Gjykata Themelore do të funksionojë në dy objekte të veçanta, një në pjesën veriore dhe një në atë jugore. Në objektin e gjykatës në pjesën jugore do të trajtohen çështjet civile, ndërsa në objektin e gjykatës në veri do të trajtohen ato penale.

“Parimet themelore kanë qenë sistemi unik i gjyqësorit, një Gjykatë Themelore për tërë rajonin, respektivisht një Prokurori, ku gjyqtarët dhe prokurorët të punojnë së bashku dhe jo të ndarë mbi baza etnike, aspekti fizik të rregullohet në mënyrë praktike, substanciale, që rastet penale të trajtohen në objektin e gjykatës në veri, ndërsa rastet civile në objektin e Gjykatës Themelore në jug”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri tha se marrëveshja parasheh shuarjen e të gjitha gjykatave dhe prokurorive në Serbi, të cilat kanë trajtuar paralelisht çështje të territorit të Kosovës. Eulex-i do të luajë një rol të rëndësishëm gjatë fazës së kalimit të lëndëve nga sistemi i Serbisë në atë të Kosovës.

“Me funksionalizimin e kësaj marrëveshjeje, duhet të shuhen të gjitha gjykatat dhe prokuroritë në Serbi, që i referohen territorit të Kosovës, sepse kemi pasur gjykata të tilla brenda dhe jashtë, e po ashtu dokumentacioni, i cili duhet të kthehet në organet e drejtësisë së Kosovës dhe të trajtohet sipas ligjeve”, tha më tej kryeministri Isa Mustafa.

Për opozitën, marrëveshja për drejtësinë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Qeveria mori kritika edhe për faktin se marrëveshja nuk u është dorëzuar deputetëve, por komentet u bënë mbi dokumentin e publikuar në media.

“Do t’iu kisha pyetur se çka është e rëndësishme për ju, çështja e barazisë së qytetarëve para ligjit që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës? Nëse po, a nuk është shkelje e kësaj barazie pika e 13 e marrëveshjes, në tekstin ku thuhet se kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës do të jetë serb i Kosovës, i cili duhet të vijë nga veriu i Kosovës? Për çfarë barazie po flasim?”, pyeti Visar Ymeri, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ju e keni diskriminuar shumicën e qytetarëve të Kosovës, shqiptarë të Vushtrrisë dhe Skënderajt. Edhe pse janë shumicë shqiptarët në atë pjesë, ata janë të diskriminuar, sepse nuk reflektohet kjo shumicë as në Gjykatën Themelore dhe as në atë të Apelit. Ky është një problem”, tha Fatmir Limaj, nga “Nisma për Kosovën”.

Edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ndonëse e vlerësoi marrëveshjen si pozitive, tha se dialogu me Serbinë duhet të ketë një afat. Për autoritetet kosovare mbetet i rëndësishëm zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Kryeministri Mustafa tha se ka ngritur në Bruksel çështjen e rikthimit të strukturave serbe në disa komuna, pavarësisht se në zgjedhjet lokale ishin zgjedhur kryetarët në mënyrë të rregullt.

Top Channel