Anila Zajmi Katanolli: Praktike dhe me stil

12/02/2015 00:00

Anila Zajmi, edhe pse krijuese veshjesh, shihej me habi shumë vite më parë ndërsa vishej për në punë.

“Nuk ishte e thjeshtë që të vishje diçka ndryshe nga të tjerët, kujtoj faktin që unë jam ndër femrat e para që kam përdorur motor, ndaj dhe veshjet e mia ishin në funksion të përdorimit të tij. Shpesh herë më binte rasti të vishja pantallona, funde por edhe xhupa lëkure, të cilat ishin të nevojshme por edhe të domosdoshme”, thotë Anila.

Deri para pak vitesh ishte e vështirë të kuptohej rëndësia e të përshtaturit të veshjes me stilin dhe ritmin e së përditshmes. Sot gjithmonë e më shumë vihet re një tendencë drejt stilit “Casual”.

“Njerëzit duan sot të vishen praktikë, bukur dhe me shije, por në të njëjtën kohë të jenë edhe praktikë e funksionalë për atë që kryejnë. Nëse përpara 10 vitesh shihje çudira në punë nëpër institucione të ndryshme, duke qenë se njerëzit shkonin me veshje jo të përshtatshme sidomos femrat, por edhe meshkujt. Ndaj mendoj se prakticiteti është një tendencë e kohës dhe tani femrat janë më të kujdesshme”, shprehet Anila.

Pasarelat janë pikë referimi dhe kushdo mund të zgjedhë firmen apo markën që i përshtatet.

“Shqiptarët kanë dëshirë të përthithin të renë, atë që sapo del. Nuk e kuptojnë, por kanë dëshirë të eksperimentojnë dhe të guxojnë. Shpesh herë shqiptarët i shikon të vishen edhe me gjëra, që nuk kanë lidhje fare me natyrën e tyre, por kjo është kurajo dhe duhet vlerësuar, pavarësisht se shpesh të nxjerr jashtë mode”, thotë Anila.

Ndryshimi nuk vihet re vetëm në stil, por mbi të gjitha në ngjyra.

“Tani ne kemi një larmi ngjyrash, kemi kurajo. Shikon meshkuj që vishen me këpucë të kuqe apo portokalli, xhaketa me ngjyra, gjëra që ne nuk i kemi përdorur më përpara. Por kjo ka të bëjë jo vetëm me mënyrën e të veshurit, por edhe me mentalitetin e njerëzve dhe shoqërisë, është e reflektuar. Ajo që është brenda është mirë të shfaqet së jashtmi”, shtoi Anila.

Veshja të krijon gjendje emocionale të ndryshme nëpërmjet ngjyrave, risive, tendencës. Por duhet të ruhet balanca që veshja të jetë në funksionin tonë, e jo ne në funksion të saj.

Top Channel