LDK dhe AAK reagojnë pas publikimit të listave për statusin e veteranëve të UÇK

12/02/2015 00:00

Menjëherë pas publikimit të listave fillestare me emrat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që kanë fituar statusin e veteranit në Zonën Operative të Llapit dhe Karadakut, kanë ardhur reagimet dhe pakënaqësitë e para.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, akuzoi Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, se qëllimisht kanë anashkaluar pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, apo FARK-u siç njihej formacioni ushtarak i themeluar nga eksponentë të LDK-së në vitin 1998.

“Ne kemi pasur vërejtje qysh në fillim me miratimin e ligjit, sepse është tentuar të anashkalohet një strukturë organizative që ka luftuar për lirinë e vendit, siç kanë qenë Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, dhe në kuadër të saj kemi parë edhe reagimet e para. Disa njerëz u janë adresuar në mënyrë individuale deputetëve, ndërsa të tjerë, që kanë qenë bartës të funksioneve të luftës, ankohen se u është bërë padrejtësi në përcaktimin e tyre qoftë si veteran, apo si pjesëmarrës i luftës për lirinë e vendit”, tha Armend Zemaj, deputet i LDK.

Zemaj shtoi se anëtarë të këtij komisioni nuk janë kompetentë për vlerësimin e listave, pasi – siç tha ai – disa prej tyre kishin pozita periferike në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dikur ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, gjatë seancës plenare në Kuvend tha se ky komision vlerësimi është produkt i Qeverisë “Thaçi” dhe për pasojë ka bërë gabime.

“Komandant i zonës në këtë rast, më duket se kam qenë edhe unë. Kurrë nuk jam konsultuar, po flas për veten. Unë e di që ka pasur politizim, anshmëri partiake, por nuk mendoj që puna është kryer vetëm me atë logjikë. Në rast se janë bërë lëshime e gabime, si po thuhet, a mban dikush përgjegjësi për këto gabime e lëshime në atë komision?”, pyeti Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Në anën tjetër, kryetari i komisionit Agim Çeku, tha se këto janë vetëm listat fillestare dhe nuk duhet nxituar me reagime.

“Kjo që është publikuar sot dhe do të vijojë të publikohet në ditët në vazhdim, janë vetëm listat fillestare. Verifikimin e parë fillestar e kanë bërë komandantët e drejtpërdrejtë të çdo aplikuesi”, tha Agim Çeku, kryetar i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të të internuarve të UÇK-së.

Reagime ka pasur edhe nga zyrtarë të tjetë të institucioneve të Kosovës, ndërsa të drejtë ankese kanë të gjithë ata, që pretendojnë se u është mohuar kontributi në luftën për çlirimin e Kosovës.

Top Channel