Atentatet me bomba, debate mazhorancë-opozitë në parlament

12/02/2015 00:00

Ngjarjet e rënda të kërcënimit me tritol të këtyre ditëve ishin kryefjala e replikave në Kuvend, ku opozita ka përforcuar qendrimin së shkaku është lidhja e Ministrit të Brendshëm me përfaqësuesit e botës së krimit, ndërsa ish-Kryeministri Berisha thelloi këtë akuzë kur tha se kërcënimi po vjen nga banda rivale, e grupit kriminal që po mbështet Saimir Tahiri.

Sali Berisha replikoi kryesisht me Ministrin e Brendshëm, pasi mbërriti në Kuvend gjatë kohës që Kryeministri Rama kishte nisur një fjalë të gjatë në Kuvend, ku së pari denoncoi qendrimin e kundërshtarëve politikë për kërcënimin ndaj familjes së Ministrit të Brendshëm.

Sali Berisha, deputet i PD-së: Është reagimi i mafies ndaj vijës së kuqe që qendron në arrestimin me urdhër të prokurorit të gjysmës së grupit, se gjysma tjetër është e lirë, e pashqetësuar fare. Unë i bëj thirrje prokurorisë të hetojë, sepse në periferi të Vlorës ekziston një fabrikë tjetër. Njerëzit flasin.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Dallohet qartazi që ka një prirje tejet të dhunshme për të destabilizuar jo pak rendin dhe sigurinë në vend. Sado i rëndë të jetë kërcënimi, për cilindo nga ne, ne jemi këtu dhe do të jemi këtu për të vazhduar detyrën dhe për të fituar betejën me krimin në çdo cep dhe me cilindo përfaqësues të botës së krimit kudo qoftë.

Edi Rama, Kryeministër: Edhe gjaksit Kanuni i jep 24 orë qetësi në besë, ndërsa ju nuk pritet dot as katër orë për t’i shtuar botës së terroristëve aktin tuaj të pashembullt ndaj njeriut që ishte objektiv i terrorit, Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.

Edi Paloka, kryetar i Grupit Parlamentar të PD: Nuk i urojmë askujt të keqen, as Sajmir Tahirit. Nuk i jepet zemër krimit nga opozita, krimit i jepet zemër kur e thërret bashkëpunëtor për të ardhur në pushtet.

Edi Rama, Kryeministër: Do të sanksionojmë me ligj si të pashmangshëm detyrimin e Prokurorisë për të hetur mbi bazën faktike të një akuze të bërë për shkak të detyrës.

Fjala e Kryeministrit mbi një orë në Kuvend, për ironi u kundërshtua nga paraardhësi i tij, që është dominuesi i kohës së diskutimeve të çdo seance në Kuvend.

Sali Berisha: Ignacio Chavez, Kolonel Gedafi dhe Fidel Castro rus e kanë pësuar shumë rëndë nga fjalimet e stërzgjatura të tyre. Të ketë respekt për parlamentin, për publikun dhe të flasë më shkurt, jo të nisëm unë nga Miloti të vi këtu dhe ta gjej në gjysmë të fjalës këtë.

Edi Rama: I riu ishte në Shtyllas ku nuk kishte përmbytje, ky i vjetri në Milot. Edhe në Milot nuk ka pas përmbytje, merre me mend ç’lidhje kanë këta me hallet e njerëzve.

Me këtë deklaratë i ka dhënë fund Kryeministri Rama fjalimeve në Kuvend, përkundër paraardhësit të tij Berisha që mori disa herë fjalën, në të cilën akuzoi disa ministra të qeverisë, por theksin final pati situatën e rendit.

Sali Berisha: Shqiptarët kanë vetëm një rrugëdalje nga kjo situatë e tmerrshme; zgjedhjet e parakohëshme.

Pandeli Majko, deputet i PS: Ku po shkojmë? Apo o burra zgjedhje të parakohëshme që të vijë edhe njëherë doktori. Kjo është zgjidhja?! Lërini këto dëngla se po gajaset bota me ne, kalon niveli i diskutimit atje ku thërret qameti.

Argumenti i rendit dhe i sigurisë publike sfumoi atë të përmbytjeve, që u përmend më pak dhe që u soll si shqetësim nga deputetja demokrate, Albana Vokshi.

Albana Vokshi, deputete e PD: Pra jugu duhet të ju presë për vota, jo për mbështetje dhe mos e dhëntë Zoti për investime dhe vëmendje edhe pse ndodhen përmbytje. Mos i zemëro më shumë vlonjatët zoti Kryeministër!

Edi Rama, Kryeministër: Juve, fakti që e rrënuat shtetin duke e drejtuar me veshë, si ata muzikantët e dasmave që nuk njohin notat, por i mban gjallë instikti i tallavasë, nuk ju pengon që të na tundni gishtin sot, madje duke na kërcënuar se po nuk shpallët gjendjen e emergjencës do bëhet qameti. Ju?! E siç mund të bëhet qesharak një violinist dasmash kur përpiqet të luajë Paganinin, aq qesharak u bë ai kryetari juaj i riu, kur shkoi në një fshat në kodër, ku s’kishte patur përmbytje, me çizme, se i kishin veshur edhe çizme, në tokë të thatë, në pikë të diellit trashte edhe zërin. Të krahasohesh me ju është njësoj si të krahasosh postën elektronike me postën në kohën kur letrat dërgoheshin me zogj.

Top Channel