Shqipëria, anëtare e Konventës së Hagës. Mbron të drejtat e të miturve, zgjidh kujdestarinë e fëmijëve

12/02/2015 00:00

Me shumicë votash, Parlamenti Europian miratoi anëtarësimin e Shqipërisë në Konventën e Hagës, mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijëve.

Kjo konventë përbën një instrument bashkëpunimi mes shteteve pjesëmarrëse, për të marrë masa për të miturit deri në 16 vjeç. Ajo synon kthimin e shpejtë të fëmijëve që largohen, apo mbahen “pa të drejtë”, drejt vendit të tyre.

Sipas përkufizimit, “mbajtja e padrejtë” i referohet shkeljes së të drejtave nga të caktuarit si “kujdestar”, qoftë individ apo institucion shtetëror.

Në shumicën e rasteve, kjo konventë përdoret për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi kujdestarinë e fëmijëve te çiftet e divorcuara, kur nëna dhe babai kanë shtetësi të ndryshme. Sipas raportueses, Heidi Hautala, shumë shtetas të BE-së janë me origjinë shqiptare dhe ky miratim siguron mbrojtjen e fëmijëve të komunitetit shqiptar.

Bashkimi Europian ka kompetenca ekskluzive në këtë fushë, siç dhe është konfirmuar nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së. Por, konventa nuk parashikon veprime autonome të organizatave ndërkombëtare, ndaj Këshilli u bëri thirrje vendeve anëtare për të pranuar në territoret e tyre hyrjen në fuqi të konventës, për rastet që përfshijnë BE-në dhe Shqipërinë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel