Presidenca: Kryeministri, fushatë fyerjesh ndaj kreut të shtetit

12/02/2015 00:00

Në mbrëmjen e së enjtes, me një prej reagimeve më të ashpra deri më tani, institucionin i Presidentit të Republikës, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për sulme politike dhe fyerjet vulgare, sulme këto që sipas Presidencës janë bërë gjatë seancës parlamentare.

“Institucioni i Presidentit të Republikës denoncon sulmet politike dhe fyerjet vulgare të organizuara nga Kryeministri i vendit ndaj Kreut të Shtetit Shqiptar në aulën e Parlamentit shqiptar. Prej gati dy vitesh, Presidenti i Republikës gjendet nën një fushatë fyerjesh, shpifjesh, kërcënimesh dhe shantazhi të pandërprerë, të organizuara dhe urdhëruara nga kryetari i qeverisë. Kjo, për një qëllim fare të thjeshtë. Kryeministri nuk po mundet të marrë nën kontroll institucionin e Presidentit të Republikës. Shpifjet e ulëta dhe denigruese të urdhëruara nga Kryeministri  i vendit sot në aulën e Parlamentit si një hakmarrje ndaj qëndrimeve institucionale të Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe dinjitetit të shtetit të shqiptarëve nuk do munden dot të nëpërkëmbin dhe asgjësojnë Institucionin e Kreut të Shtetit. Dhuna nuk do triumfojë kurrë mbi dinjitetin e shtetit”, lexohet në deklaratë.

Por gjatë seancës parlamentare, Kryeministri Rama nuk e ka përmendur në asnjë moment Presidentin Nishani, por ka qenë vetëm deputeti socialist, Taulant Balla, i cili ka lexuar në foltoren e Parlamentit një letër që ditën e mërkurë, drejtuesit e komuniteteve fetare të Elbasanit i kanë dërguar Kryeministrit Rama lidhur me prishjen e kishës katolike në këtë qytet, pasi trualli duhet t’i kthehet familjes Karaosmani, pasardhësja e vetme e të cilës, sipas deputetit Balla, është Zonja e Parë, Odeta Nishani.

“Kush janë përfaqësuesit me pushtet të familjes Karaosmani? Unë i kam pyetur me radhë nga kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministrat, nuk më rezultoi asnjë që të kishte lidhje me këtë familje. Ju si deputetë të opozitës, pse i drejtoheni kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, pse nuk i drejtoheni Presidentit të Republikës? Në fund të fundit si ka mundësi që Presidenti nuk flet, ju nuk flisni? Për sa kohë që Presidenti nuk do të dalë dhe të flasë se familja Karaosmani, sipas pretenduesve është familja e bashkëshortes së tij, ky skandal tregon fytyrën e vërtetë tuajën dhe të ushtarëve tuaj sipas pozicioneve që keni, sepse sipas letërshkruesve, shumë të nderuar, drejtues të katër besimeve fetare në Elbasan, ka ndikuar familja me pushtet te Gjykata e Lartë për të marrë vendimin për të prishur kishën dhe për të marrë tokën”, ka deklauar zoti Balla në seancën e ditës së enjte në Kuvend.

Pas deklaratës së Presidencës, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama.

“E paimagjinueshme për një President Republike kjo gjuhë, por koha kur Kryeministri përdorte po këtë gjuhë ndaj Presidentit vdiq në 23 qershor”, mbyllet reagimi i Kryeministrit Rama.

Top Channel