Vijnë ndihmat e para austriake e sllovake për të përmbyturit

12/02/2015 00:00

Departamenti i Komisionit Europian për Ndihmën Humanitare dhe Mbrojtjen Civile njoftoi sot se situata është përmirësuar pas emergjencës së shkaktuar nga reshjet e shiut në jug të Shqipërisë.

Niveli i ujit në Vjosë, Drin, Osum dhe Gjanicë “po bie” dhe “situata në zonat e përmbytura pritet të përmirësohet gjatë ditëve në vijim, falë motit më  të mirë”.

Bëhet e ditur se një ekip i Unionit për mbrojtjen civile është dërguar në Tiranë një ditë më parë, i cili ka për detyrë të ndihmojë autoritetet shqiptare për vlerësimin e situatës, si dhe të japë rekomandime ndaj Komisionit Europian e vendeve pjesëmarrëse për llojin e ndihmës që kërkohet, bashkëpunimin mes aktorëve dhe koordinimin e asistencës së pritshme.

Për Komisionin, vetëm dy vende anëtare të BE-së kanë ndihmuar përmes mekanizmit të aktivizuar më 4 shkurt për Shqipërinë, pasi një numër shtetesh të tjera europiane kanë dhënë ndihma në bazë të marrëdhënieve bilaterale.

Nga qendra e koordinimit mësohet se Austria solli të hënën 8 gjeneratorë, 1.000 batanije, 500 shtretër dhe 20 tenda familjare. Ndërsa të mërkurën, Sllovakia ofroi 2000 kostume që nuk përshkohen nga uji, 200 pallto dimri, 48 shtretër, 336 batanije, 120 çizme, 2000 peshqirë, 3 gjeneratorë dhe 6 pompa thithëse.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel