Greqia ka rënë dakord gjatë së enjtes, për të biseduar me kreditorët e huaj në lidhje me mënyrën sesi të dalë nga huadhëniet shpëtuese ndërkombëtare, në një zmbrapsje politike që mund t’i parandalojë Qeverisë së re të udhëhequr prej radikalëve të majtë të drejtojnë pa parà vendin duke nisur nga muaji i ardhshëm.

Kryeministri Alexis Tsipras, pjesëmarrës në samitin e tij të parë të BE-së, ra dakord së bashku me kreun e ministrave të Financave të eurozonës, Jeroen Dijsselbloem, se zyrtarët grekë do të takohen me përfaqësuesit e Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar gjatë së premtes.

“U dakordësuam sot t’u kërkojmë institucioneve të angazhohen me autoritetet greke për të nisur punën mbi një vlerësim teknik të terrenit të përbashkët mes programit aktual dhe planeve të Qeverisë greke”, shkroi në Tëitter Dijsselbloem. Në këtë mënyrë, tha ai, do të hapim rrugën për bisedime tepër të rëndësishme mes ministrave të Financave të eurozonës, të hënën e ardhshme.

Kjo kthesë e Tsiprasit shënoi të parin hap potencial drejt zgjidhjes së krizës, që riktheu rrezikun e detyrimit të Greqisë për të braktisur monedhën europiane, që do të ndizte trazira më të thella financiare. Një zyrtar grek në Athinë tha se ky ishte një hap pozitiv për të lëvizur drejt një marrëveshjeje të re financiare me kreditorët.

Njoftimi erdhi më pak se 24 orë pasi ministrat e Financave të eurozonës dështuan të binin dakord mbi një deklaratë në lidhje me hapat e ardhshme proceduriale, për shkak se Athina nuk dëshironte asnjë referencë mbi programin jopopullor apo mbi zbatimin e tij prej “trojkës” së huadhënësve.

Tsipras fitoi zgjedhjet gjatë muajit të kaluar, duke premtuar se do të linte pas krahëve programin e shpëtimit të 240 miliardë eurove, do t’i jepte fund bashkëpunimit me “trojkën”, do të kthente mbrapsht masat shtrënguese që çuan shumë grekë drejt varfërisë, si dhe do të negocionin reduktimin e borxhit masiv.

Hapi procedurial përpara erdhi pasi Këshilli Qeverisës i BQE-së zgjati periudhën e parave “cash” për bankat greke me një tjetër javë, duke autorizuar një ndihmë emergjente kreditimi shtesë prej 5 miliardë eurosh nga Banka Qendrore e Greqisë. Këshilli vendosi përmes një videokonference të rishikonte programin e saj më 18 shkurt.

Top Channel