Senati konfirmon Ashton Carter si Sekretar Mbrojtjeje, shtyn miratimin e Lynch

12/02/2015 00:00

Senati ka miratuar gjatë së enjtes Ashton B. Carter si Sekretarin e ardhshëm të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, duke konfirmuar kështu një shef të ri të Pentagonit në prag të shtimit të veprimtarisë ushtarake amerikane kundër Shtetit Islamik.

Carter, një ish-zëvendës Sekretar Mbrojtjeje, i cili është edhe zgjedhja e presidentit Obama për të zëvendësuar Chuck Hagel, u miratua me 93 vota pro dhe 5 kundër, një skenë marrëveshjeje konsensusi, teksa tensionet vijojnë të rriten për shkak të pritjes së gjatë për të konfirmuar Loretta E. Lynch si kryeprokurore të përgjithshme.

Ishin 5 republikanë që kundërshtuan konfirmimin e Carterit, por ky tranzicion i shefave të Pentagonit vjen në një moment kur Kongresi ka marrë në konsideratë një numër çështjesh të rëndësishme, përfshi edhe kërkesën e Obamës për ta autorizuar formalisht atë për veprime ushtarake kundër ISIS.

Republikanët ishin të kujdesshëm për të vënë shenjën e barazimit mes mbështetjes së Carterit dhe mbështetjes së Obamës, veçanërisht pasi shumë ligjvënës shprehën rezervime mbi parametrat e autorizimit në lidhje me përdorimin e trupave tokësore, si dhe influencën e këtij autorizimi të ri përgjatë autorizimit të veprimeve ushtarake të deritanishme.

Senatori John McCain, republikan i Arizonës dhe kreu i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, e quajti Carterin si “një prej profesionistëve më me eksperiencë amerikanë në fushën e mbrojtjes”. Por, ai tha se ende nuk ka besim nëse Obama do t’i besojë tërësisht Carterit në vendimmarrje. “Kur bëhet fjalë për politikën e sigurisë tonë kombëtare, mund të shpreh me sinqeritet shqetësimin në lidhje me detyrën që pret doktor Carterin dhe influencën e kufizuar që ai mund të ketë”, tha McCain.

Anëtarët republikanë të Komitetit të Drejtësisë në Senat, vendosën gjatë së enjtes të shtynin votimin e komitetit për të konfirmuar zonjën Lynch, kandidaten e përzgjedhur nga presidenti Obama për të zëvendësuar Prokurorin e Përgjithshëm Eric H. Holder Jr.

Edhe pse shumë republikanë e lavdëruan zonjën Lynch gjatë dëgjesës për konfirmimin e saj që përfundoi muajin e kaluar, ata përfshinë edhe një dozë kritikash të rënda për Departamentin e Drejtësisë të drejtuar nga Holder.

Top Channel