Armëpushimi në Ukrainë, SHBA mirëpret marrëveshjen e paqes: Rusia të ndalë mbështetjen

12/02/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur marrëveshjen e re të armëpushimit, me synimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por kërkoi që Rusia t’i japë gjithashtu fund mbështetjes së saj për separatistët.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se sanksionet ndaj Rusisë mund të lehtësohen, por vetëm nëse veprimet e saj i përmbahen angazhimeve dhe fjalëve të dhëna.

Udhëheqësit e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës arritën një marrëveshje mëngjesin e së enjtes, pas bisedimeve të gjata në Bjellorusi.

Armëpushimi pritet të nisë në Ukrainën lindore në mesnatën e së shtunës, por të dyja palët mbeten ende skeptikë. Rebelët prorusë kanë nënshkruar marrëveshjen , që përfshin gjithashtu edhe tërheqjen e armatimeve të rënda dhe këmbimin e të burgosurve, por ka ende çështje kyç për t’u zgjidhur.

Përplasjet mes forcave qeveritare dhe rebelëve vazhduan edhe përgjatë së enjtes, ndërsa njëri prej komandantëve të mbështetur nga Rusia tha se forcat e tij nuk do të ndalnin luftimet. Mijëra persona kanë mbetur viktima gjatë luftës thuajse njëvjeçare në rajon.

Në një tjetër zhvillim, Banka Botërore njoftoi të enjten se është gati të japë deri në 2 miliardë dollarë ndihmë financiare për Ukrainën gjatë këtij viti, si pjesë e një pakete ndërkombëtare mbështetjeje.

Gjatë së enjtes, qendra e rebelimit ishte më e qetë se kurrë më parë. Zhurma e artilerive të rënda apo edhe të shtënave në distancë ka qenë disi më sporadike, por ende nuk është shuar përfundimisht.

Donjecku mbetet një qytet gjysmë-shkretëtirë. Shumë civilë, të cilët kujtojnë dështimin e implementimit të marrëveshjes për armëpushim të shtatorit të vitit të kaluar, do të kalojnë sërish natën në katet përdhese dhe mburojat e tyre.

Më herët, presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se implementimi i marrëveshjes së dakordësuar në Minsk të Bjellorusisë do të ishte i vështirë. Bisedime të mëtejshme do të mbahen në pjesën e vetëshpallura Republika Popullore, në Donjeck dhe Luhansk, të kontrolluara prej separatistëve.

Pas bisedimeve 16-orëshe, Putin tha për një televizion rus se “kjo nuk ishte nata më e mirë e kaluar për mua, por është një mëngjes i mirë”. Kancelarja gjermane tha se marrëveshja ofron “një grimcë shprese”, ndërsa presidenti francez, Francois Hollande, tha se “orët në vijim do të jenë decizive”.

Shtëpia e Bardhë mirëpriti marrëveshjen si “një hap potencialisht domethënës”, por shprehu shqetësim ndaj raportimeve për luftime të vazhdueshme në lindje të Ukrainës.

Të gjitha palët duhet të përmbushin tërheqjen në prag të armëpushimit të së dielës, përfshi edhe ndaljen e menjëhershme të sulmeve ruse dhe të separatistëve në qytetin e Debaltseve apo edhe rajone të tjera të Ukrainës”, tha John Kerry në një deklaratë.

Separatistët i dhanë një “mirëseardhje” të kujdesshme armëpushimit të ri, por lideri rebel i Donjeckut, Alexander Zakharchenko tha se Kievi do të jetë fajtori nëse marrëveshja nuk përmbushet, si dhe paralajmëroi se nëse ndodh diçka e tillë “nuk do të ketë më takime apo marrëveshje të reja”.

Poroshenko, i cili akuzoi fillimisht Rusinë se kishte bërë kërkesa “të papranueshme”, tha se rebelët kishin nisur menjëherë ofensivën, pasi u njoftua marrëveshja. Luftimet e reja ndodhën pasi zyrtarët ushtarakë ukrainas thanë gjatë së enjtes se 50 tanke ruse dhe mjete të tjera të blinduara por edhe sisteme raketore kaluan kufirin nga Rusia në Ukrainë.

Top Channel