Top Story, çfarë po ndodh me rendin?

12/02/2015 00:00

Pas pjesës së parë, ku u fol për përplasjen e radhës mes Presidentit dhe mazhorancës, Top Story këtë të enjte iu rikthye ngjarjeve kriminale që kanë tronditur këto ditë kryeqytetin.

Dy shpërthime dhe sekuestrimi në dy raste i sasive të konsiderueshme të tritolit kanë krijuar një klimë, që ishte kryetemë edhe në seancën parlamentare të së enjtes, ku opozita dhe mazhoranca shkëmbyen akuza dhe kundërakuza të ashpra. Por çfarë po ndodh në të vërtetë.

Alfred Duka, avokat dhe ish-punonjës i kundërzbulimit në vitet 1993-1997, vite kur është regjistruar edhe shpërthimi i fuqishëm në godinën e VEFA-s, ku mbetën të vrarë disa persona, tha se bëhet fjalë për një situatë që krijon tronditje të opinionit publik, por që nuk cënon rendin dhe kushtetutshmërinë.

“Këto vepra nuk plotësojnë kriteret për të qenë vepra terroriste të drejtpërdrejta. Terrorizmi emëton panik, frikë dhe qëllim destabilizimin e situatës dhe në fund do të japë mesazhin përfundimtar, që kjo situatë me këtë mënyrë qeverisjeje nuk mund të shkohet më. Kjo është ideja dhe platforma terroriste. Për mua nuk ka deri më tani, nuk jemi para një siutate apo para një vepre terroriste, vetëm ajo e vendosur tek shkolla Petro Nini ka disa kritere terrorizmi”, tha ai.

Por eksperti i sigurisë, Xhavit Shala ndan një mendim krejt tjetër.

“Për mua janë vepra me qëllime terroriste, edhe cështja për këto ka nisur nga hetuesit. Synohet të ngjallet panik, frikë dhe pasiguri. Të kërcënosh familjarët e një autoriteti të lartë të fushës së sigurisë është terrorizëm, por nuk është vepër e një organizate terroriste, sepse kur është e tillë organizata del dhe merr përsipër veprat. Kjo është vepër e krimit të organizuar, jo organizatë terroriste sepse krimi i organizuar ka marrë goditje të forta këto muajt e fundit, kujtojmë këtu Lazaratin një dhe Dukagjinin dy. Ka 25 raste të evidentuara si përpjekje për vrasje të punonjësve të policisë ku 18 prej tyre janë vetëm në Gjirokastër. Ky është një reagim i krimit të organizuar që këto muaj ka nisur të goditet te pika e tij e dobët, pasuria, fitimi. Kjo është pika e tij e dobët”, tha ai.

Taulant Balla tha se goditje me tritol kanë qenë të pranishme në Shqipëri gjatë gjithë kohës, por janë shpeshtuar këto kohë pasi 2014, sipas tij, ka qenë viti me goditjen më të ashpër kundër kriminalitetit. Ai kritikoi qendrimin e Partisë Demokratike duke e cilësuar atë destabilizues.

“Qendrimi i PD ishte i papranueshëm. Kjo ndodh çdo herë, në 2003 kur u godit avioni italian në Lazarat, PD doli dhe mbrojti lazaratasit, kur policia po hynte në Lazarat Berisha i thoshte në telefon mbahuni se po vijnë të kuqtë. Këtu është goditur institucioni i Ministrit të Brendshëm, jo Sajmir Tahiri. Qendrimi i PD duhet të ishte solidarizimi që ditën e parë. PS u solidarizua në 15 mars të 2005 duke i rrahur shpatullat Berishës dhe kritikohemi për këtë, por ditën e tragjedive solidarizohemi me të keqen”, tha Balla.

Leonard Olli hodhi poshtë këto akuza. Ai tha se PD është distancuar nga krimi dhe ka kërkuar gjetjen dhe vënien përpara drejtësisë së autorëve dhe se ajo që ka vënë në dukje ka qenë heqja e ekspertëve nga radhët e policisë.

Taulant Balla u përgjigj duke thënë se policët e hequr janë hequr për korrupsion. “Ka dhe vazhdon të ketë punonjës policie që në vend që të respektojnë detyrën, i shërbejnë dhe i kanë shërbyer elementëve kriminalë, këta elementë do largohen dhe po largohen nga Policia e Shtetit. Lufta kundër krimit kërkon një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve. Shërbimi informativ nuk ka dhënë asnjë informacion për sulmet ndaj Ministri të Brendshëm, që do të ishin parandaluese. Me prokurorinë duhet një bashkëpunim i ngushtë dhe me gjykatat, ndaj është e nevojshme një reformë në drejtësi”, tha ai.

Olli tha se vendi ndodhet në një situatë të degraduar rendi dhe për këtë renditi tre arsye. “Për shkak të lidhjeve të krimit me elementë në qeveri, shthyrje totale e policisë dhe mungesa e vullnetit politik për rendin”, tha ai.

Top Channel