Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, çmimi i biletave për autobusët nuk ndryshon

12/02/2015 00:00

Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës miratuar në mënyrë unanime 6 projektvendime të bashkisë në lidhje me vendosjen e bustit të Aleks Budës, shtimin e buxhetit të klubit sportiv Tirana për dhënie stimuli të sportistëve Ervis Tabaku, Jurgen Uldedaj, Bekim Basha dhe Luiza Gega, si dhe dhënien e ambienteve në përdorim të një organizate për të rinjtë.

Këshilli Bashkiak ka diskutuar gjatë në lidhje me çështjen e ditës, transportin urban, pas grevës së autobusëve të linjave të kryeqytetit.

Në mbledhje u vendos që çmimi i biletës së autobusëve të mos ndryshoi deri sa bashkia të përgatisë një studim në lidhje me çmimin e biletës se mjeteve të transportit publik në Tiranë.

Nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo tha se bashkia në këtë situatë të rëndë ekonomike nuk mund të rëndojë edhe më xhepat e qytetarëve.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u diskutua për organizimin dhe përcaktimin e formës së bashkëpunimit për shërbimin dhe administrimin e parkimit publik me pagesë në rrugët e Tiranës.

Nënkryetari i bashkisë tha se bëhet fjalë për 7700 vend parkime në rrugët kryesore të Tiranës dhe dhënia me koncesion është praktike në të gjithë qytetet e vendeve europiane. Kjo formë e administrimit të vendparkimeve do të rrisë të ardhurat e bashkisë, ndikon në uljen e ndotjes dhe rrit cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Bozdo nënvizoi se miratimi i projektit nuk është marrje e ndonjë vendimi, por thjesht hapje e garës. Këshilltarë të mazhorancës kërkuan që ky projektvendim të shtyhet për miratim të enjten e ardhshme në mënyrë që të njihen me detaje mbi këtë projekt të rëndësishëm të kryeqytetit.

Top Channel