Jemen, baza e ushtrisë nën kontrollin e rebelëve

13/02/2015 00:00

Luftëtarë të lidhur me Al-Kaedën morën nën kontroll një bazë ushtarake në jug të Jemenit. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarët vendas.

Grupi Ansar al-Sharia ka bërë të ditur se kishin vendosur një bombë jashtë bazës dhe më pas kanë ndërhyrë, duke kapur ushtarët që gjendeshin aty.

Javën e kaluar, rebelët shiite Huthi rrëzuan qeverinë në kryeqytetin Sanaa. Ata kanë marrë nën kontroll sipërfaqe të mëdha në veri të vendit, duke u futur në konflikt me Al-Kaedën në Jemen dhe grupe të tjera synite.

Situata e rëndë që po kalon Jemeni është komentuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon. Ai ka tha se, “Jemeni po falimenton para syve tanë. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj kësaj situate”.

Ndërsa i Dërguari i OKB-së në Jemen, Jamal Benomar, paralajmëroi se Jemeni ishte në një udhëkryq në mes të “luftës civile dhe shpërbërjes”. “Mungesa e stabilitetit mund të ndihmojë fuqizimin e degëve të Al-Kaedës”.

Baza e ushtrisë u konfiskua ditën e enjte në provincën Shabwa, në të mund të qëndronin deri në 1 mijë ushtarë. Një zyrtar i agjencisë së lajmeve AFP tha se militantët kanë marrë armatime të rënda.

SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kanë mbyllur ambasadat e tyre në Jemen për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë atje.

Top Channel