Kryeministri serb Vuçiç, në fund të majit vizitë në Shqipëri

13/02/2015 00:00

Aleksandar Vuçiç do të vizitojë Tiranën në fund të majit, ku do të marrë pjesë në takimin e kryeministrave të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, SEECP, nismë e cila kryesohet nga Shqipëria.

Lajmi i bërë i i ditur nga Zëri Amerikës, sipas të cilëve vizita është konfirmuar nga burime diplomatike në Tiranë. Ndërsa mediat serbe shkruajnë se vizita është pohuar edhe nga Kryeministri serb. Vuçiç ka deklaruar se ka pranuar ftesën dhe se do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik që do të mbahet po në datat 27-28 maj, shkruan Zëri Amerikës.

Pavarësisht tensionit të krijuar pas ndeshjes së futbollit mes kombëtares serbe dhe asaj shqiptare, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi në muajin nëntor një vizitë historike në Beograd, e para pas më shumë se 60 vitesh.

Në atë takim Kryeministri i Shqipërisë ftoi për një vizitë në Tiranë homologun e tij, Aleksandar Vuçiç. “E kam ftuar Kryeministrin e Serbisë të vizitojë Shqipërinë në një kohë të përshtatshme vitin e ardhshëm, duke besuar që nuk do të presim 68 vjet të tjera për takimin tjetër dhe duke qenë i bindur se nuk duhet ta presim konferencën e ardhshme për Ballkanit, për të dëgjuar të njëjtat gjëra. Por për të shkuar me një bilanc punësh të përbashkëta”, kështu ishte shprehur menjëherë pas vizitës në Beograd Kryeministri Rama.

Dy vendet kanë nënshkruar disa marrëveshje muajt e fundit. Ndërsa në janar me nismën e Italisë, për të nxitur dialogun mes dy vendeve, të konsideruara nga Roma si boshtet kryesore të politikës në rajonin e Ballkanit, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë u takuan në kryeqytetin italian.

Top Channel