Mustafa: Dialogu për liberalizimin e vizave përfundon në 2015

13/02/2015 00:00

Në Komitetin Drejtues për Liberalizimin e Vizave, kryeministri Isa Mustafa deklaroi se dialogu për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian është prioritet i qeverisë së Kosovës dhe viti 2015 mbetet vit i përfundimit të këtij procesi. Kreu i qeverisë prezantoi masat që do të marrë për të qetësuar valën e emigrimeve.

Qeveria ka aprovuar programin e punës për këtë vit, ndërkohë që javën që vjen do të shqyrtohet dhe miratohet programin për katër vitet e ardhshme.

“Do të punojmë për krijimin e kushteve për rritjen e punësimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës, për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, shërbimeve të arsimit, për aktivizimin e jetës kulturore dhe gjithë jetës sociale të qytetarëve tanë”, deklaroi Mustafa.

Kryeministri tha se do të kërkojë raporte të rregullta nga ministritë përkatëse për angazhimet ditore të tyre në fushën e emigrimit, ndërsa paralajmëroi masa ndaj të gjithë atyre që bëjnë pazare dhe trafikojnë qytetarët, për interesa të tyre materiale dhe për interesa politike, siç u shpreh ai.

Sipas Mustafës, të gjitha institucionet e vendit duhet të bëjnë punën e vet për integrimin e njerëzve, të cilët do të kthehen së shpejti në Kosovë.

“Do të kërkojmë edhe bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare nga fusha e emigracionit që të na ndihmojnë me ekspertizën e tyre dhe me mbështetjen e tyre në këtë drejtim, si dhe të ndihmojnë kthimin dhe riintegrimin vullnetar të qytetarëve tanë”, ka deklaruar Mustafa në Komitetin drejtues për liberalizimin e vizave.

Top Channel