Humoristët e Shqipërisë dhe Kosoves bëhen bashkë për të përcjellë situata argëtuese dhe të qeshura në një serial të ri: “Dekalogu kuq e zi”. Seriali i zhanrit komedi, projekti më i ri i Digitalb-it dhe regjisorit Altin Basha u prezantua në konferencë për media në Prishtinë mbrëmjen e së enjtes.

Drejtori i Digitalb-it, Alban Jaho, vlerësoi “Dekalogun Kuq e Zi” si ndër prodhimet më të mira, duke theksuar se Shqipëria e Madhe bëhet me projekte të tilla: “Prej vitesh, Digitalb-i e ka në fokusin e tij bashkëprodhimet me autorë, aktorë dhe producentë të të gjitha trevave shqiptare. Kjo nuk është pa shkak. Digitalb-i kërkon unifikimin e vlerave më të mira artistike dhe kombëtare. Shqipërinë e Madhe mund ta bëjmë nëpërmjet projekteve të përbashkëta.”

Në “Dekalogun Kuq e Zi”, personazhet sjellin situata të ndryshme sociale të të dyja vendeve në politikë, turizëm, futboll, ushtri, dhunën ndaj grave, muzikë etj.

Regjisori Altin Basha shpalosi detaje rreth serialit, teksa bën të ditur që si ide lindi pas mbledhjes së dy qeverive në Prizren. Në 10 episodet e “Dekalogut”, 6 aktorë luajnë 60 personazhe të ndryshme.

“Jemi përpjekur që të shohim realitetet e bashkëjetesës mes nesh në filtrin e komedisë dhe duke parodizuar disa fenomene që i gjejmë në të dyja anët e kufirit”, theksoi regjisori Basha.

Ky projekt sjell së bashku në ekran 3 aktorët e “Portokalli”-së, Florian Binajn, Gazmend Pajën dhe Besart Kallakun, me 3 aktorët kosovarë të njohur si Stupcat: Vedat Bajramin, Mensur Safçiun dhe Osman Ademin.

Aktori Besart Kallaku ilustroi punën e bërë në projekt me një situatë futbolli: “Gjërat bëhen të lehta kur e merr përsipër Digitalb-i, ia pason Altin Bashës dhe Altini kroson për çunat: gol!”

Për aktorët kosovarë, puna me DIGITALB-in dhe regjisorin Basha ishte projekti më i mirë në karrierën e tyre: “Ka qenë projekti më i mirë dhe më i vështirë.”

“Dekalogu Kuq e Zi” nis të transmetohet më datë 26 mars në kanalin T të DIGITALB-it.

Top Channel