Gjermania përkujton 70-vjetorin e bombardimeve aleate në Dresden

13/02/2015 00:00

Gjermanët përkujtojnë 70-vjetorin e bombardimeve në Dresden, ku 25 mijë persona gjetën vdekjen si pasojë e sulmeve ajrore britanike dhe amerikane në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Sulmet lanë një sipërfaqe prej 33 kilometrash katrorë nën flakë dhe shkatërruan thuajse të gjithë qytetin.

Pjesë e përkujtimeve do të jetë edhe Presidenti Joachim Gauck, i cili do të ndalet në Kishën e Zonjës Sonë, e rindërtuar pas shkatërrimit total nga bombardimet.

Aleatët besonin se nga Dresdeni drejtohej mbrojtja naziste ndaj Ushtrisë së Kuqe sovjetike që po afrohej në Lindje.

Homazhe për viktimat do të kryejnë edhe aktivistët anti-fashistë, ndërkohë që mbështetësit e së djathtës ekstreme kërkojnë të shfrytëzojnë këtë datë për të rritur mbështetjen e tyre.

Dresdeni është kryeqendra e lëvizjes Pegida që muajt e fundit ka zhvilluar protesta masive kundër asaj që e quan ‘islamizimi i Europës’.

Bombardimet britanike dhe amerikane nisën më 13 shkurt të 1945 dhe për 37 orë avionët aleatë lëshuan mbi qytet mijëra bomba duke lënë pas gërmadha. Mes ndërtesave të shkatërruara ishin edhe muze, shtëpia e famshme e operas dhe Kisha e Zonjës Sonë, ndërtesë e shekullit të 18-të së bashku me monumentin e Martin Luther.

Kisha edhe pse e dëmtuar i mbijetoi bombardimeve, por e dobësuar prej tyre dhe si pasojë e nxehtësisë struktura e saj u shemb nga pesha e vet.

Top Channel