Përmbytja, nis kompensimi i dëmeve; Rama në Fier

13/02/2015 00:00

Tetë ditë më parë, Mentor Resulajt përmbytja i mori 480 dele dhe 340 qengja. Paraditen e së premtes, shqetësimi i tij për humbjen e bagëtive mori fund pasi ato iu zëvendësuan.

Kryeministri Edi Rama u rikthye në fermën e Resulajve për të hapur siparin e kompensimeve nga përmbytjet.

“Ju falenderoj nga zemra, s’e prisja që tufa të më zëvendësohej kaq shpejt. Kanë ardhur katër kamiona me 430 dele. Mua më mori lumi nga ajo përmbytje, por jo fatin”, tha Resulaj.

“Ne bëmë detyrën, kjo nuk është fat”, u përgjigj kryeministri.

Vëllai i Mentorit, më i vogli i familjes, 8 ditë më parë nuk besonte se një ditë dëmi i shkaktuar do të kompensohej dhe për këtë vuri një bast me Ramën, të cilin kryeministri nuk e kishte harruar.

“E pranoj humbjen. Shumë faleminderit për gjithçka”, tha i vogli i Resulajve.

“Pranoje humbjen me dinjitet dhe t’i nënshtrohesh babait dhe vëllait të madh. Siç e kemi lënë, duhet të punosh dy orë në ditë pa lekë”, u përgjigj Rama.

Rikthimin në këtë fermë Rama e quajti përmbushje të të gjitha angazhimeve të marrë përsipër ditët e përmbytjeve.

“Erdhëm këtu sot, jo thjesht për të zëvendësuar krerët një më një, siç premtuam publikisht, sic do t’i marrin të gjitha familjet krerët e humbur. Ky është detyrim ndaj këtyre familjeve dhe kjo është dita për të thënë se të gjithë të kuptojnë se sa e rëndësishme është një votë, që ndryshon gjërat për mirë ose për keq. Ne premtuam që nuk do të iknim bashkë me shiun, por do të ishim këtu edhe kur të dilte dielli, sepse kemi detyrim për të rikthyer çdo gjë në normalitet”, deklaroi Rama.

Top Channel