Greqia nis bisedimet me “Trojkën” për “të përbashkëtat dhe ndasitë”

13/02/2015 00:00

Greqia dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë kanë nisur bisedimet gjatë së premtes, mbi reformat e nevojshme për të mbajtur vendin të financuar, duke rritur mundësitë e një marrëveshjeje të përkohshme kompromisi mes eurozonës dhe Athinës, në ministerialin e së hënës së ardhshme.

Bisedimet mes ministrave të Financave të eurozonës dhe Greqisë, që do të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme janë decizive, për shkak se ato do të shënojnë momentin e fundit për Qeverinë e re greke për të kërkuar shtyrjen teknike të programit aktual të shpëtimit, që skadon më 28 shkurt.

Greqia është në nevojë të një shtyrjeje të tillë, për të siguruar vazhdimësinë e financimit zyrtar nga BE në një kohë kur huamarrja nëpër tregje është bërë shumë e shtrenjtë për Athinën, si dhe për t’u përfshirë në mënyrë të ligjshme në negociata për ripagimin e huave të eurozonës që ka marrë deri më tani.

Por, Qeveria e radikalëve të majtë, e udhëhequr nga Alexis Tsipras, që fitoi zgjedhjet në janar me premtimin se do t’i jepte fund programit të shpëtimit prej 240 miliardë eurosh dhe masave shtrënguese që shoqëronin atë, nuk dëshiron të kërkojë shtyrjen e këtij programi, qoftë edhe për disa muaj.

“Ka pasur debate politike tepër konstruktive dhe tashmë duhet të shqyrtojmë faktet më kokëforte, duke shpjeguar se çfarë është përfshirë në marrëveshjen e reformave të shpëtimit dhe cilat janë rezultatet sasiore të programit të Qeverisë së re greke”, tha një zyrtar i lartë i BE-së, me njohuri mbi bisedimet në Bruksel.

“Të hënën ne presim një përshkrim të hollësishëm mbi mbivendosjet e këtyre dy propozimeve, gjithashtu që ata të mos jenë neglizhentë, por edhe se cilat janë divergjencat”, tha zyrtari.

Nëse Greqia dëshiron të lirohet nga ndonjë reformë e listës së gjatë të dakordësuar gjatë firmosjes për programin e shpëtimit, ajo duhet të propozojë në vend të saj një masë tjetër me efekt të ngjashëm fiskal, shtoi zyrtari në fjalë.

Ai u thuri lavde komenteve të bëra nga presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pasi Tsiprasi prezantoi idetë e tij përpara samitit të liderëve të BE-së, të enjten në Bruksel.

Zyrtari, që nuk preferoi të identifikohej, theksoi se nëse Greqia nuk kërkon një shtyrje të programit të shpëtimit të hënën, programi – me gjithë mbrojtjen financiare që ofron – do të skadojë dhe Athinës do t’i duhet të aplikojë për një të ri, me të drejta të plota shpëtimi, apo i treti për Greqinë.

“Nuk është vendimtare shtyrja. Dikush mund të bjerë dakord edhe të nisë diskutimet për një program të ri. Kjo është një mundësi e veçantë, të cilën unë nuk mund ta përjashtoj”, tha zyrtari për “Reuters”.

Top Channel