Siguria publike, BE kërkon kontrolle më të rrepta në zonën “Schengen”

13/02/2015 00:00

Udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë bërë thirrje për kontrolle më të rrepta të udhëtarëve, të cilët hyjnë lirshëm në zonën “Schengen”, si masë përforcimi të sigurisë pas sulmeve terroriste në Paris muajin e kaluar.

Në takimin e Brukselit, gjatë së enjtes, ata ranë dakord mbi nevojën e përforcimit të masave për të “ndërprerë udhëtimin lirshëm të terroristëve”. Kontrollet duhen zhvilluar ndaj “individëve, të cilët gëzojnë lirinë e të lëvizurit pa viza”, të cilët janë të përfshirë në bazat e të dhënave të antiterrorizmit, thuhej në deklaratën e përbashkët të tyre.

Udhëtarë nga Bashkimi Europian shpesh mund të shmangin kontrollet e zgjeruara të identitetit, bazuar mbi marrëveshjen e “Schengen”-it, marrëveshje kjo që heq kufijtë e brendshëm, duke mundësuar lëvizjen e lirë mes 26 vendeve të BE-së. Britania e Madhe dhe Republika e Irlandës nuk janë të përfshira në të.

Spanja ka sugjeruar se marrëveshja duhen amenduar, për të lejuar më shumë kontrolle kufitare ndaj personave të dyshuar se kanë lidhje me terrorizmin. Por, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se KE nuk e sheh të nevojshme të rishikojë rregullorën e “Schengen”-it momentalisht.

U ra dakord gjithashtu që duhet bërë më shumë nën kuadrin ekzistues ligjor për të monitoruar hyrjet apo daljet nga zona “Schengen”, pa e ndryshuar marrëveshjen apo pa shkelur të drejtën e lëvizjes së lirë.

Vendet mund të “procedojnë pa vonesa me kontrolle sistematike dhe të koordinuara” ndaj kujtdo, lëvizjet e të cilëve konsiderohen si të dyshimta prej bazave të të dhënave që përdorin “tregues të rrezikut të përbashkët” të paspecifikuara”, thuhet në deklaratë.

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, miratoi kontrollet e përforcuara, por tha gjithashtu se ekzistojnë edhe “vija të kuqe”, që ai por edhe ligjvënës të tjerë refuzojnë t’i kapërcejnë. Ai paralajmëroi se të kufizosh në mënyrë të pakujdesshme të drejtat individuale në emër të forcimit të sigurisë publike, mund të jetë një armë në duart e terroristëve, që mund të diskreditojnë demokracitë e stilit perëndimor.

Qeveritë e BE-së duan të parandalojnë europianët të shkojnë të luftojnë përkrah militantëve të Shtetit Islamik në Siri apo në Irak, duke iu frikësuar faktit se ata mund të ndërmarrin sulme në vendet e tyre kur të rikthehen nga lufta.

Aktualisht, vetëm 30% e pasaportave që tregohen nga udhëtarët që hyjnë apo dalin nga zona “Schengen”, kontrollohen elektronikisht për të parë nëse janë të humbura, të vjedhura apo të falsifikuara, thonë zyrtarët. Synimi është që këtë përqindje ta çojnë drejt 100%.

Udhëheqësit bënë thirrje gjithashtu ndaj policisë dhe autoriteteve të drejtësisë të rrisin ndarjen e informacioneve për të parandaluar trafikun e armëve dhe pastrimin e parave, si dhe për të ngrirë efektivisht asetet e përdorura për financimin e terrorizmit. Disa prej masave kanë nevojë për aprovimin nga Parlamenti Europian për të hyrë në fuqi.

Top Channel