Kosovë, Universiteti i Prishtinës bën 45 vjet

13/02/2015 00:00

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar të premten 45-vjetorin e themelimit. Fillimet e universitetit datojnë në vitin 1958 si Shkolla e Lartë Pedagogjike, me disa grupe mësimore.

Në vitin e parë shkollor 1958-59,  në Shkollën e Lartë Pedagogjike u regjistruan 93 studentë të rregullt dhe 55 me korrespondencë. Universiteti i Prishtinës u themelua me Ligjin mbi themelimin e UP, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969.

Themelimi i UP-së ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i UP u mbajt më 13 shkurt 1970, ndërsa dy ditë më vonë u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data 15 shkurt u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.

Në 45-vjetorin e e themelimit, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami tha se qeveria e Kosovës është e përkushtuar për reforma universitare.

“Ne dëshirojmë që të mos ketë gara të tipit kush do të bëhet rektor, zv/rektor apo dekan, por të ketë garë se kush do të bëhet profesori më i mirë. Të mos kemi protesta nga studentët për pakënaqësi ndaj zgjedhjes së rektorit, por të kemi protesta për pakënaqësi ndaj cilësisë së mësimit”, deklaroi Bajrami.

Ndërsa rektori Ramadan Zejnullahu u shpreh se universiteti nuk ndodhet në atë nivel që të gjithë do të dëshironin, megjithëse është institucioni më i madh dhe më prestigjioz i arsimit në Kosovë.

“Detyra jonë është të ofrojmë cilësi për 53 mijë e 497 studentët tanë aktualë dhe për ata qindra mijëra të tjerë që pritet të trokasin në dyert tona për t’u regjistruar dhe arsimuar”, tha Zejnullahu.

Sot rreth 110 mijë qytetarë kanë përfunduar nivelin e arsimit të lartë. Teksa në vitin 1971 një në pesë studentë ishte femër, sot 54 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve janë femra.

Nga viti akademik 1990-1991 deri pas përfundimit të luftës, studentët u dëbuan nga objektet e universitetit nga regjimi serb dhe vijuan mësimet nëpër shtëpi private.

Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të sapothemeluar ishin Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë. Tani Universiteti i Prishtinës ka 17 fakultete, nga të cilët 14 janë akademikë, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara.

Top Channel