Avancimi i ISIS, pushtohet Al-Baghdadi. Objektivi i radhës, baza që strehon amerikanët

13/02/2015 00:00

Militantët e Shtetit Islamik kanë marrë gjatë së premtes kontrollin e plotë të qytetit irakian të Al-Baghdadit, në perëndim të Ramadit, e sipas zyrtarëve të sigurisë ata u ajnë afruar së tepërmi një baze ajrore që strehon personelin ushtarak amerikan.

“Tashmë ata janë pranë bazës ajrore strategjike të Ayn al-Assad, vetëm 15 km larg Al-Baghdadit”, thanë zyrtarë të sigurisë, ndërkohë që forcat irakiane kanë nisur të bëjnë thirrje për përforcime. Por, një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha për CNN se nuk është planifikuar asnjë evakuim i bazës në fjalë.

Fronti perëndimor është vetëm njëri prej shumë të tillëve drejt të cilëve po lëvizin militantët e Shtetit Islamik. Ndërsa, sipas një reporteri të CNN në Irakun verior, luftëtarët kurdë “peshmerga” janë duke u zhvendosur nga veriu drejt qytetit të Sinjarit, i cili kontrollohet prej ekstremistëve që prej verës së vitit të kaluar.

Pushtimi i Sinjarit nga militantët e ISIS shkaktoi një krizë humanitare tepër të rëndë në atë kohë, pasi komuniteti i minoritetit etnik Jazidi u detyrua të braktiste qytetin për t’u strehuar në shpellat e malit të Sinjarit, ku shumica mbetën të bllokuar pa ushqime dhe pa ujë.

Luftëtarët kurdë janë hedhur në sulm kundër ekstremistëve, por do t’u duhet një kohë e gjatë dhe një betejë e vështirë për të mposhtur ISIS dhe për t’i zmbrapsur militantët nga ai qytet.

ISIS sulmoi luftëtarët “peshmerga” në Sinjar gjatë së enjtes, ashtu sikurse dhe forcat kurde të pozicionuara në veri të qytetit të dytë më të madh të Irakut, Mosul, por edhe rajonin Ba’shiqa në lindje të tij. Megjithatë, më mirë se kudo, ata e shohin veten të avancuar në perëndim të Irakut, ku po u bëjnë ballë ushtrisë irakiane dhe fiseve sunite.

Një zyrtar sigurie i forcave qeveritare të Irakut deklaroi se luftëtarët e ISIS pushtuan Al-Baghdadin të premten, pasi sulmuan nga tri anë forcat qeveritare. Shqetësim përbën baza më e madhe ajrore në provincën perëndimore të Anbarit, “Ayn al-Assad”, ku instruktorët amerikanë janë duke stërvitur pilotët irakianë. Aktualisht, baza ajrore është vënë në shtënjestrën e sulmeve sporadike indirekte prej militantëve, të cilët kanë përdorur lëshues raketash dhe mortajash.

Megjithatë, dy zyrtarë sigurie në zyrën e provincës Anbar thanë për CNN se forcat e sigurisë brenda bazës “Ayn al-Assad” kanë mundur të vrasin 8 kamikazë gjatë së premtes, të cilët po mundoheshin të thyenin perimetrin e bazës ajrore, nga drejtimi i Al-Baghdadit.

Një deklaratë e lëshuar nga Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM) bënte të ditur se sulmi ishte i drejtuar kundrejt një ndërtese të ushtrisë irakiane në bazën në fjalë dhe se forcat irakiane vranë që të 8 militantët. “Forcat e koalicionit ishin disa kilometra larg sulmit dhe në asnjë rast nuk janë vendosur nën kërcënim të drejtpërdrejtë nga ky sulm”, thuhej në të. Rreth 800 anëtarë të forcave të sigurisë irakiane janë duke u stërvitur nga forcat e koalicionit ndërkombëtar në bazën ajrore, shton CENTCOM.

Zyrtari amerikan i mbrojtjes tha gjithashtu se trupat amerikane në bazë nuk mendojnë se janë nën rrezik rrethimi, në mënyrë që të angazhohen ndaj ISIS në terren, por ritheksoi atë që është thënë shpesh nga zyrtarë të Pentagonit se “forcat amerikane ruajnë të drejtën për t’u vetëmbrojtur nëse do të jetë e nevojshme, edhe pse deri tani nuk ka pasur asnjë të plagosur mes tyre dhe nuk pritet ndonjë ndryshim statusi”.

Top Channel