Turqi, protesta kundër fesë në shkolla

13/02/2015 00:00

Në Turqi janë rikthyer protestat e të rinjve, këtë herë për të kundërshtuar atë që ata e quajnë ‘islamizim të sistemit arsimor’.

Epiqendra e protestave ishte në qytetin e Izmirit, ku mësues dhe nxënës bojkotuan mësimin të premten dhe dolën në rrugë për të kundërshtuar disa vendime që u heqin hapësirat shkollave laike dhe i kalojnë ato nën kontrollin e rrjetit të shkollave “Imam Hatip”, të mbështetura nga Presidenti Erdogan.

Policia përdori topa me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa mediat turke thonë se në Stamboll janë arrestuar të paktën 10 protestues.

Që prej ardhjes në pushtet, në vitin 2002, fillimisht si Kryeministër e tashmë si President i vendit, Erdogan është kritikuar nga pjesa e popullsisë që e akuzon atë se po përpiqet të ndërtojë një shtet fetar.

Aktualisht numërohen rreth 1 milion të rinj turq që ndjekin studimet në shkollat fetare, nga 65 mijë që ishte ky numër në 2002, kur Erdogan erdhi në pushtet.

Një vit më parë, Turqia u kritikua nga vendet perëndimore dhe nga organizata të lirive dhe të drejtave të njeriut për shtypjen me dhunë të protestave antiqeveritare që përfshinë Stambollin, ku kundërshtohej prishja e “Gezi Park”. 

Top Channel