Qindra qytetarë në Shkup i kanë bërë thirrje qeverisë që të tërheqë ligjin që ka të bëjë me pagesën e kontributeve për personat e punësuar me kohë të pjesshme.

Protestuesit janë shprehur kundër pagesës së kontributeve për shëndetësinë dhe pensionet për të ardhurat e fituara në bazë të kontratave me honorare.

Drejtuesit e shoqatave që merren me të drejtat e punëtorëve thonë se pushteti, përmes ligjit për këtë kategori, po varfëron ata qytetarë që nuk mund të gjejnë një punë të rregullt dhe detyrohen të punojnë me orar të pjesshëm.

“Kjo protestë është organizuar nga disa sindikata dhe disa shoqata të qytetarëve që nuk pajtohen me ligjin për honoraret. Qytetarët janë të pakënaqur nga ky ligj dhe qeveria nuk mund ta fshehë këtë pakënaqësi pavarësisht përpjekjeve të ndryshme që bën”, deklaroi Zdravsko Savevski nga shoqata Solidariteti.

“Të punësuarit me honorare, qofshin gazetarë, përkthyes apo aktorë, nuk kërkojnë mëshirë nga pushteti, por kërkojnë që t’i respektojë dhe t’i dëgjojë kërkesat e tyre. Meqë askush nuk i dëgjon këto kërkesa, ne sot përsëri kemi dalë në rrugë për t’i paralajmëruar se kështu nuk mund të vazhdohet më”, tha Tamara Çaushidis nga Sindikata e gazetarëve.

Qytetarët e pakënaqur, mes të cilëve gazetarë, aktorë e aktivistë, pakënaqësinë e tyre e kanë shprehur para godinës së Parlamentit dhe qeverisë. Kjo është protesta e dytë e të punësuarve me kohë të pjesshme.

Revoltën e tyre partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, u mundua ta zbusë duke propozuar plotësimin e ligjit dhe aplikimit të disa lehtësimeve, por protestuesit kërkojnë tërheqjen e plotë të ligjit që hyri në fuqi një muaj më parë.

Top Channel