Reali kërkon të harrojë shpërfytyrimin nga Atletico, Barça për goleadë

13/02/2015 00:00

Kampionët e Europës në fuqi, Real Madrid, vijojnë ende të mbajnë kryesimin e La Liga-s, por duket se një ambient i zymtë krize ka rrethuar klubin, pasi u “shpërfytyruan” nga rivalët e kryeqytetit, Atletico Madrid, 4-0 fundjavën e kaluar.

Tituj negativë në shtypin spanjoll ndoqën jo vetëm mënyrën sesi u mposhtën “merengues”-it, por edhe festën për shkak të 30-vjetorit të ditëlindjes së Cristiano Ronaldos, ku morën pjesë edhe disa prej shokëve të tij të skuadrës, vetëm pak orë pas asaj ndeshjeje.

Forma e Ronaldos në fushë është një tjetër shqetësim për hierarkinë në Madrid, pasi portugezi ka shënuar vetëm 3 gola në 6 ndeshjet e fundit, që pasi mori të tretin “Top të Artë” gjatë karrierës së tij, muajin e kaluar, ndërkohë që është ndëshkuar edhe me karton të kuq për shkak të një goditjeje ndaj një mbrojtësi të Cordobas, gjatë kësaj kohe.

Madje janë shtuar spekulimet, por edhe frika, se dëmtimi i tendinës së kupës së gjurit, që ndikoi në performancat e tij gjatë fundit të sezonit të kaluar, por edhe gjatë Botërorit të Brazilit, mund të jetë rishfaqur.

Presidenti i “Los Blancos”-ve, Florentino Perez, ka zhvilluar një takim me lojtarët dhe trajnerin Carlo Ancelotti gjatë së hënës, për t’iu thënë atyre se performanca e tyre në “Vicente Calderon” ka qenë tepër e dyshimtë dhe e papërshtatshme për 10 herë kampionët e Europës.

Gjithsesi, Atletico mund të rezultojë sërish si një pikë kthese për sezonin e Realit, ashtu siç ndodhi edhe gjatë fillimit të këtij sezoni, kur pasi humbën 2 nga 3 ndeshjet e para, “mbretërorët” udhëtuan drejt Deportivos për të shkatërruar 8-2 vendasit, e më pas përfunduan me një ecuri rekord prej 22 fitoresh radhazi.

E ndërsa Reali ka pësuar rënie, Barcelona ka rigjetur formën e saj më të mirë të sezonit, me 10 fitore radhazi, duke iu afruar me vetëm një pikë diferencë rivalëve të përjetshëm në krye të renditjes, ndërkohë që janë edhe 90 minuta larg finales së Kupës së Mbretit.

Katalanasit e çuan në 37 sasinë e golave të shënuar gjatë këtyre 10 javëve të fundit, pas fitores 3-1 ndaj Villarrealit në takimin e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit, të mërkurën, ndërsa kanë besim se mund të shënojnë më shumë gola ndaj Levantes, kur këta të fundit të vijnë në “Camp Nou” të dielën.

Atletico do të duhet të vijojë me ecurinë e fitoreve në kampionat, për të ruajtur shpresat për mbrojtjen e titullit kampion, kur të udhëtojnë drejt Celta Vigos të dielën.

Në ndeshjet e tjera, Valencia, Sevilla dhe Villarreal shpresojnë të marrin 3 pikët e radhës në betejën e tyre për vendin e katërt, kur të ndeshen me ekipet e vendeve të fundit, respektivisht Cordoba, Getafe dhe Rayo Vallecano.

Top Channel