Serie A, Juventus pa Tevezin, Benitez me sytë nga vendi i dytë

13/02/2015 00:00

Trajneri i Napolit, Rafael Benitez ka bërë thirrje për më tepër përqëndrim përpara transfertës së vështirë ndaj Palermos në formë të mirë, që mund të rezultojë decizive për “të kaltrit” në objektivin e tyre për të siguruar një vend në Champions League gjatë sezonit të ardhshëm.

Napoli ka fituar 4 ndeshjet e fundit në Serie A, duke ngushtuar diferencën me Romën e vendit të dytë, por njëkohësisht duke rritur distancën nga ndjekësit e tjerë.

Roma reagoi më në fund, duke ndalur barazimet radhazi për të fituar gjatë javës së kaluar ndaj Cagliarit, por ekipi i drejtuar nga Rudi Garcia është 7 pikë larg kryesuesve të kampionatit dhe kampionëve në fuqi, Juventusit, si dhe 4 pikë përpara napolitanëve.

Roma ka vuajtur shumë mungesën e shpejtësisë dhe krijimtarisë së Gervinhos, ndërkohë që sulmuesi i cili sapo u shpall kampion i Afrikës me Bregun e Fildishtë mund të mungojë sërish në përballjen ndaj Parmës së vendit të fundit, ditën e diel.

Në ndeshjet e tjera, Cesena do të përpiqet të ruajë kujtimet e mira nga fitorja 2-1 ndaj Lazios, kur të presin Juventusin në ndeshjen e fundit të së dielës, në mbrëmje. Carlos Tevez do të mungojë për shkak pezullimi në këtë takim, duke lënë sulmin bardhezi totalisht në duart e spanjollëve Morata-Llorente.

Dy ekipet milaneze, Milan dhe Inter, do të ndeshen respektivisht ndaj Empolit dhe Atalantës, me kuqezinjë në “San Siro” dhe zikaltrit në “Bergamo”.

Top Channel